E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i kryeqytetit shtyhet për vjeshtë

Këshilltarët e grupit të PD-së propozojnë shkurtime në policinë bashkiake dhe në administratën vendore


Gjatë mbledhjes së djeshme u miratua bonusi i strehimit për subvencionimin e 91 familjeve përfituese


Ashtu sikundër pritej, kalimi i buxhetit të vitit 2010 në këshillin bashkiak të Tiranës është shoqëruar më diskutime të ashpra, të cilat patën të njëjtin përfundim si më parë, nuk çuan në miratimin e buxhetit.


Qendra e debatit, i cili zgjati për më shumë se tri orë, ishte pretendimi i këshilltarëve bashkiak të djathtë se Bashkia e Tiranës u kishte mohuar informacionin e kërkuar në lidhje me taksat vendore, shumën që bashkia mbledh prej tyre dhe mënyrën se si shpenzohen këto lekë.


Pas prezantimit të buxhetit nga nënkryetarja e Bashkisë, Albana Dhimitri, diskutimi kaloi në një tjetër rrafsh, ku sërish i kërkohej bashkisë të raportonte në mënyrë të detajuar për të ardhurat dhe shpenzimet. Duke prezantuar projektin për ndërtimin e unazës së madhe, nënkryetarja e bashkisë, Albana Dhimitri, ka deklaruar se ky projekt është gati, por, sipas saj, është qeveria ajo që po e pengon zbatimin e tij, duke mos kryer shpronësimet.


Argument ky që u hodh poshtë nga këshilltarët demokratë, të cilët deklaruan se Qeveria është gati të bashkëpunojë, por është vetë Bashkia e Tiranës ajo që po pengon miratimin e buxhetit për vitin 2010, për arsye se nuk ka një projekt konkret për unazën e madhe.


Ndërsa argumenti që solli këshilltarja Suzana Guxholli ishte se nuk mund të miratonte një buxhet, për të cilin nuk kishte një informacion të detajuar, duke cituar në këtë rast se shumë këshilltarë prej tetë muajsh prisnin përgjigjet e pyetjeve drejtuar Bashkisë në lidhje me taksat.


Nga ana tjetër, këshilltari Ferdinand Poni ka argumentuar kundërshtimin e miratimit të buxhetit, duke thënë se duhej të bëheshin publike fondet e mbartura nga viti 2009 dhe çka është më e rëndësishme të publikoheshin të ardhurat që Bashkia e Tiranës përfitonte nga ALUIZNI.


Poni më tej prezantoi disa propozime për ndryshime në Buxhetin e vitit 2010, duke argumentuar se të dhënat e përdorura i kishte nxjerrë vetë, për shkak të mungesës së transparencës nga ana e Bashkisë së Tiranës. Propozimet e tij kryesisht kishin të bënin me reduktimet e vendeve të punës në pushtetin vendor.


Kështu Poni ka sugjeruar shkurtimin e efektivit të policisë Bashkiake, nga 250 punonjës në 200, reduktimin e personelit në drejtorinë e taksave në Bashki, si dhe shkurtimin e fondeve të bashkisë për pajisje teknologjive.


Propozime këto, të cilat kreu i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, vendosi t'i bëjë pjesë të mbledhjes së ardhshme të këshillit bashkiak, e cila, sipas vetë këshilltarëve, nuk ka gjasa të mblidhet deri në shtator.

Gjatë mbledhjes së djeshme të këshillit bashkiak u miratuan edhe dy projektvendime që kanë lidhje me familjet në nevojë, siç janë të pastrehët. Vendimi i parë miratoi listën e 91 familjeve, të cilat përfitojnë kredi të zbutur nga shteti, emrat e të cilëve po i botojmë më poshtë.


Ndërsa vendimi i dytë kishte të bënte me projektin e bonusit të qirasë, sipas të cilit, Bashkia u paguan qiranë atyre familjeve të pastreha që kanë të ardhura të pakta dhe nuk kanë mundësi për të paguar qiranë e banesës. Nga ky vendim përfituan 31 familje, të cilat nuk do të kenë mundësi të tërheqin bonusin pa u miratuar buxheti për vitin 2010.


Shikoni dokumentin ne pdf

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›