E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca, dëmtohet Vieira, rrezikon finalet

Sipas informacioneve, Patrik Vieira mund të mos luajë për Francën në Evropianin që pritet të fillojë pas pesë ditësh. 

Lojtari i Interit ka pasur një tërheqje të fortë muskulore në pulpën e majtë ditën e premte dhe pas trajtimeve të shumta fizioterapie, stafi mjekësor nuk jep një përgjigje të prerë nëse veterani i “bluve” do të luajë apo jo në Austri dhe Zvicër. Në anën tjetër, edhe pse nuk ka dhënë një përgjigje të saktë nëse do të grumbullojë apo jo mesfushorin, Domenek ka thërritur në ekip, Matjë Flamininë duke gjetur në këtë mënyrë zëvendësuesin e Vieirasë. “Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë deri më datën 8. do të presim deri në atë moment dhe më pas do të caktojmë nëse do të jetë Flamini apo Vieira lojtari i 23-të. Është një situatë e vëshirë për mua dhe ajo që mund të them është se Vieira nuk do të jetë në ndeshjen e parë ndaj Rumanisë,” tha Domenek. Ditën e djeshme me ekipin u stërvit edhe blerja e re e Milanit, Flamini, i cili është dukur i qetë për grumbullimin e tij. “Jam i qetë. Nuk dua të them se jam i lumtur pasi diskutohet dëmtimi i një lojtari të madh të ekipit tonë, por dua të them se do të jem në stërvitje deri më 8 qershor, pastaj do të shoh se çfarë do të ndodhë,” tha Flamini. Edhe pse i dëmtuar, kapiteni i “Bluve” ishte i pranishëm në drekën “speciale” të ditës së djeshme kur ekipin e vizitoi presidenti i republikës Nikola Sarkozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›