E Diel, 1 Nëntor 2026

Gatuzo: Botërori është më i lehtë se Evropiani

Mesfushori i Kombëtares së Italisë, Xhenaro Gatuzo, komenton kampionatin evropian, kur kanë mbetur dhe katër ditë nga fillimi i tij. 

Të veshur me mantelin e kampionëve të botës, “të kaltrit” do të kërkojnë të triumfojnë edhe në kompeticionin kontinental. “Jemi një prej skuadrave favorite për të triumfuar në Evropian dhe është një gjë mëse normale. Jemi kampionët e botës në fuqi dhe kemi pothuajse të njëjtën organikë, ndaj jemi gati për të treguar se jemi skuadra më e fortë në botë”, ka thënë mesfushori i Milanit. Gjithsesi, ai është gjithashtu i vetëdijshëm se, nuk do ta kenë edhe aq të lehtë. Për më tepër, Gatuzo mendon se do jetë më e vështirë se në Botëror. “Jem i bindur që nuk do të jetë edhe aq e lehtë madje, mendoj se do të jetë më e vështirë se Kupën e Botës. Do të përballemi me skuadra shumë të forta që në fazën në grupe dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Për t’u ndeshur me skuadra si Franca, Holanda dhe Rumania duhet të japësh maksimumin në fushë, në mënyrë që të marrësh një rezultat pozitiv. Janë skuadra shumë të forta, me lojtarë tepër cilësorë dhe me synime maksimale”, shtoi ai. Por, përsa i përket favoriteve të tjera për kompeticionin evropian, Gatuzo tha: - “Lista është mjaft e gjatë, pasi rivaliteti është shumë i fortë. Gjithsesi, ekipet që për mendimin tim do të arrijnë të bëjnë një paraqitje shumë të mirë, janë Gjermania, Portugalia, Spanja dhe pse jo edhe Greqia. Kjo e fundit është kampionia në fuqi dhe është po aq e motivuar, për të arritur një rezultat tjetër të shkëlqyer. Ne do të mendojmë që të kalojmë me sukses fazën në grupe dhe më pas të kujdesemi për përballjet e tjera”, përfundoi Xhenaro Gatuzo.
Bufon
Portieri i Kombëtares së Italisë dhe një nga pikat më të forta të ekipit, Xhanluixhi Bufon, është i gatshëm për të dhënë maksimumin e tij dhe për të kërkuar triumfin në Euro 2008. “Të gjithë jemi gati për të dhënë më të mirën tonë në një kompeticion të tillë. Nuk do të jetë aspak e lehtë, por jemi të bindur që nuk do të zhgënjejmë. Ne luajmë për tifozët tanë, të cilët na shikojnë si diçka shumë të rëndësishme. Edhe unë kur kam qenë i vogël, i shikoja lojtarët e kombëtares si diçka të shenjtë dhe prisja maksimumin. Nuk duhet të bëjmë hapa falsë dhe nuk do të bëjmë të tillë”, tha portieri i Kombëtares së Italisë, Xhanluixhi Bufon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›