E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i Arta Dobroshit për festivalin e Kanës

E veshur thjesht, por me një stil të veçantë, aktorja Arta Dobroshi nuk ngurron asnjëherë të flasë për punën e palodhshme të saj si aktore në Kosovë. 

Qysh në fillim të karrierës, ka studiuar dhe lexuar shumë dhe puna e saj e parë ishte të angazhohej nëpër filma të metrazhit të gjatë. Qytetarja e botës, siç është quajtur nga shumica e kritikëve në Francë, thotë për “Express”-in e Kosovës se aq shumë ka qenë e mishëruar me rolin e Lornës, sa shpeshherë ka menduar se është një Lornë tjetër. Thotë se puna e saj me regjisorët belgë Jean–Pierre dhe Luc Dardanne ishte kënaqësi, ndërsa me aktorët e filmit e ka ndjerë veten sikurse në një familje të gjerë.
Roli i Lornës
Që në fillim të vitit 2007, regjisorët francezë kishin paralajmëruar se do të bënin një film, i cili për bazë do të kishte jetën e një refugjateje. Por, Arta Dobroshi nuk kishte shumë njohuri për këtë. Sikurse aktorët e tjerë, edhe ajo kishte konkurruar në audicionin e regjisorëve francezë, i cili ishte mbajtur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, madje edhe në Belgjikë dhe Francë. “Audicioni ishte në vitin e kaluar. Ata i kanë parë dy filmat e mi, të cilët i kam bërë më herët. Këtë nuk e kam ditur. Mirëpo, ata i kanë gjetur në Francë. Mandej më ka thirrur agjenti i “casting-ut”, më ka pyetur se ku isha për momentin. Unë i thashë se isha në Sarajevë dhe ai më ka pyetur nëse mund të më takojë diku për të më xhiruar. Casting-u dhe audicioni ka qenë i hapur, është bërë në Prishtinë, në Tiranë dhe në Shkup, madje edhe në Francë dhe Belgjikë, dhe kanë mundur të konkurrojnë të gjitha, madje edhe vajzat që nuk janë aktore”, filloi Arta rrëfimin e saj se si e kishte marrë rolin. Pasi është kontaktuar me telefon, ajo ka ardhur në Prishtinë. Ka xhiruar pesë minuta në gjuhën frënge, ku është dashur të thotë: “Unë jam Arta dhe jetoj në Prishtinë”. “Këto kanë qenë të vetmet fjalë. Kjo ka ndodhur vjet, në muajin maj, nëse nuk gabohem. Pra, për pesë minuta është kryer casting-u dhe unë jam kthyer në Sarajevë. Pas dy javësh më kanë thirrur dhe thanë se dëshirojnë të vijnë në Sarajevë, me më pa atje. Erdhën regjisorët Jeane-Pierre dhe Luc Dardanne. Kemi xhiruar tërë ditën. Ç’ka nuk kemi xhiruar! Ecja dhe këndoja. Nuk kishte ndonjë gjë specifike. Madje ka pasur raste kur vetëm rrija para kamerës. Por, në fund të ditës kam qenë shumë e kënaqur”, vazhdon rrëfimin e saj Arta.
“Lacky day”
për Artën
Ajo pranon se në fillim nuk e ka ditur tregimin e filmit, edhe pse e kishin informuar në vijat e trasha për çfarë bëhet fjalë. Pikërisht ajo ditë ka qenë edhe “lucky day” e Artës, pasi regjisorët i kanë thënë se ajo duhet të shkojë me ta në Liege. “Liege ka qenë vendi në Belgjikë ku kemi bërë edhe dy ditë xhirime shtesë me dy aktorët e tjerë, me Jeremie Renier dhe me Fabriocio Regione. Kam shkuar në Belgjikë, por në fakt para se të shkoj m’i patën dhënë edhe dy skena frëngjisht për t’i lexuar dhe mësuar përmendësh, pasi nuk e dija frëngjishten. Dija vetëm kuptimin, ma ka mësuar Timka, një boshnjake që e di frëngjishten, ajo më ka ndihmuar shumë. Pas dy javësh kam shkuar në Liege, dhe i kemi bërë ato dy skena. Kisha frikë, por i shtrëngova dhëmbët dhe i thashë vetes: “Arta bëhu vetvetja”. Këto dy ditë xhirime kishin bërë që dy regjisorët belgë t’ia urojnë Artës rolin kryesor në këtë film. “Më kanë thënë: ‘Urime, t’i je Lorna!’. Më thanë se jam aktore e fortë, se besojnë që unë do ta luaj me sukses këtë karakter shumë të vështirë. Unë ende nuk e dija qartë se për çfarë bëhej fjalë në film. Vetëm atëherë ma dhanë skenarin në anglisht dhe shqip. Duke u kthyer nga aeroporti i Parisit nisa ta lexoj dhe ngjarja menjëherë më kapi. Pasi arrita në gjysmën e skenarit, më shkuan edhe lotët. Ishte një tregim shumë i fuqishëm, emocionues, me skena e ngjarje që të marrin me vete. Në fakt, unë edhe jam gëzuar shumë në atë moment, sepse kuptova se do ta luaja rolin kryesor të një femre, rol që është shumë i rrallë në filmin botëror, ku më shumë ka role të meshkujve sesa role të femrave. E kam fjalën për rolet kryesore. Ishte një fat i madh, sepse sot është shumë vështirë që të gjesh një rol të tillë, ku femra është kryepersonazhe dhe qendër e dramës”. Ajo thotë se ka punuar në karakterin e saj nga zeroja, duke filluar nga elementet primare. “Lorna është një karakter që jeton në vetmi. Jeta e saj është e tillë, ajo i ka qëllimet e veta që i ndjek dhe asgjë tjetër nuk e intereson. Për të luajtur Lornën sa më mirë, unë kam nisur të jetoj si ajo, nuk dilja fare ose shumë rrallë në mbrëmje. Kur shkoja në motel ku banoja, gjithmonë edhe mendoja si Lorna, kam ndier dhimbje për Lornën si karakter. Një gjë tjetër ishte se dhe Lorna jetonte në Liege dhe unë doja ta imitoja atë edhe në jetën e përditshme, duke kaluar po ato rrugët e qytetet që përmenden në skenar, kam dashur të qaja dhe përjetoja edhe jashtë filmit, atë që përjeton një emigrante dhe unë isha si emigrante e sapoardhur në atë qytet... Më ka ndihmuar edhe fakti se filmi është xhiruar në mënyrë kronologjike, sikur të ishte shfaqje. Por, në fund, kur është kryer filmi, ai moment kur e dinim se është skena e fundit, ne po xhironim skenat pa zë, vetëm veprimet, pra pa tekst, si dublat që do të mund të hynin në punë gjatë montazhit... Dhe ne po xhironim veprimin tim nëpër qytet. Ishte një xhirim kur të gjithë ishim të pikëlluar dhe kur mori fund, të gjithë filluam të qajmë, sepse ashtu ishte skena, por ç’ka ka ndodhur në të vërtetë nuk mund të tregoj, duhet ta shihni filmin”.
Ditët më të
lumtura të aktores
Pas përfundimit të filmit, Arta kthehet në Prishtinë, ku kalon momente të mira me shoqërinë saj. Por, gjithmonë e përshkonte një ndjenjë të çuditshme. Ishte një ndjenjë që ajo e kishte përjetuar paksa më ndryshe, për shkak të vetmisë që e kishte praktikuar gjatë xhirimit të filmit. Dhe në fund kishte ardhur lajmi se ajo do të ishte në konkurrencë për “Palmën e Artë”, me filmin e saj, për të cilën gjë kishte pasur ndjenja të përziera. “Jam gëzuar shumë, por në të njëjtën kohë jam ndier edhe disi e çuditshme. U gëzova për ekipin e filmit, sepse filmi është punë ekipore dhe nëse regjisori, aktorët, por edhe rekuizitori nuk e bëjnë punën mirë, atëherë kjo ndikon. Ai duhet të largohet nga aty. Nuk bën që ta ndiesh vetën më lart se të tjerët. Dhe, ne jemi aty për t’i shërbyer tregimit. Kjo ka qenë historia e Lornës, “La Silance de Lorna”. Ndonjëherë kemi punuar më shumë se zakonisht, deri vonë, por nuk jemi ankuar vetëm e pyesnim njëri-tjetrin a është bërë mirë dhe asnjëherë askush nuk ka thënë “O Zot, sa jemi lodhur”.
Në tapetin e kuq
në Kanë
Pas kësaj pune të lodhshme, Arta më në fund ka udhëtuar për në Kanë, për të ardhur në premierë me makinë tek tapeti i kuq, ku ka shkelur bashkë me ekipin. Këtë gjë ajo e quan një përjetim tepër të bukur. “E para, sepse e di se do ta japësh premierën para të gjithë atyre njerëzve. E dyta janë gazetarët, të cilët të rrethojnë nga të gjithë anët dhe të thërrasin, “Arta! Arta!...”, dhe t’i duhet të kthehesh dhe të japësh autografe. Mandej filmi ka pasur shumë publicitet, është folur shumë për filmin edhe në paralajmërim. Momenti i kalimit në tapetin e kuq ishte si përrallë. Muzika është si në “Harry Potter Movie”, ashtu “tri-tri-tri-li-li-li”, diçka shumë e bukur dhe t’i ecën nëpër tapet dhe gazetarët i ke anash - shumë të mirë janë gazetarët, shumë të mirë janë, përplot energji... Është një ndjenjë si një lojë disi. Por, mund të them se ne jemi kënaqur, kemi qenë plot emocione”.  Arta e përshkruan premierën si një magji. “Me të përfunduar premiera, njerëzit janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur rreth 10 minuta. Jemi kënaqur shumë pasi njerëzve u pëlqeu filmi. Pastaj, të nesërmen, i kemi dhënë intervista, qindra sojsh, dhe e kemi parë se si e kanë pritur gazetarët dhe njerëzit filmin. Të gjithë që e kanë parë filmin, kanë qenë shumë të emocionuar dhe me energji pozitive. Ajo thotë se shkuarja në Kanë i ka bërë shumë kuriozë gazetarët nga vjen Arta si yll i ri i kinematografisë botërore. “Po, kanë qenë kuriozë. Varësisht prej gazetarëve, disa po, disa jo, disave u ka interesuar se ku kam lindur, ku jam rritur, çfarë shkolle kam kryer, si e kam përjetuar luftën etj. Në një intervistë më kujtohet kur kam folur për filmin, në fund më ka pyetur një gazetar: Ku ke qenë më 17 shkurt? Kjo pyetje më ka çuditur pak, pasi isha duke folur për filmin dhe pas një habie të shkurtër i kam thënë ‘Faleminderit për pyetjen!” dhe u përgjigja se kam qenë në Prishtinë dhe se ajo ka qenë dita më e lumtur në jetën time”. (Marrë me shkurtime nga “Express”)

Mësimi i gjuhës frënge

Arta kishte befasuar më së shumti Kosovën me gjuhën e saj të rrjedhshme frënge, që e kishte përdorur gjatë festivalit. Shumica e kolegëve në Kosovë e kanë ditur se ajo është një anglofone e mirë, por që flet aq rrjedhshëm frëngjishten... “Pas kësaj jam kthyer në Liege, ku kam bërë një kurs intensiv ‘Berliege Foreign Language’. Ky është një kurs që të mëson se si të mendosh frëngjisht dhe jo në ndonjë gjuhë tjetër. Një kurs i përgjithshëm që ta mëson gjuhën e komunikimit brenda dy javësh, sepse në rolin tim flitet frëngjisht. 90 për qind të kohës filmi është në gjuhën frënge, 10 për qind shqip dhe italisht. Edhe unë kam qenë dakord se duhet ta mësoj, pasi që nuk mund ta luaj një rol të tillë pa e mësuar gjuhën”, thotë Arta. Ajo tregon se si ka mësuar të mësojë me zell gjuhën. Tregon se si ka mësuar më shumë orë dhe si ka bërë detyra shtesë shtëpie, ku mësuesit i kanë dhënë vetëm pesë të tilla dhe ajo ka kryer më shumë se pesëmbëdhjetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›