Franca e Gjermania po diskutojnë për ndarjen e BE-së
Gjermania e Franca janë në bisedime për një ndarje radikale të BE-së, raporton BBC. Synimi i tyre është të krijojnë një eurozonë më të integruar.
Një zyrtar i lartë i BE i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se po bëhen diskutime intensive në të gjitha nivelet. Rezultati mund të jetë një eurozonë më e vogël.
Zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel i ka mohuar këto plane, por presidenti francez ka folur hapur për një Europë me dy shpejtësi.
BBC thotë se tani është e qartë se kriza financiare në eurozonë ka hapur debatin për të ardhmen e bllokut. Nuk ka akoma asnjë plan të detajuar, por ky zhvillim i ri ka sjellë një paralajmërim të fortë nga presidenti i Komisionit Europian për rreziqet që do sjellë ndarja.
Ndërkohë lajmet që vijnë nga eurozona janë gjithmonë e më shokuese. Europa rrezikohet nga një stanjacion, më e pakta, dhe një recesion në një skenar më të zymtë. Shefja e FMN ka folur për një dekadë të humbur. Nëse ecet kështu, borxhet e Greqisë do dalin jashtë kontrollit vitin që vjen, kurse Italia rrezikon falimentimin.