Franca kërkon fitore ndaj Shqipërisë

Selektori i Francës, Laurent Blanc, kërkon fitore në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2012, ndaj Shqipërisë dhe Bosnje e Hercegovinës, për ta shmangur ‘tmerrin’ e 18 vjetëve më parë, kur francezët e udhëhequr nga Gérard Houllier dështuan të kualifikoheshin në Botëror, pasi i kishin humbur dy ndeshjet e fundit në shtëpi.
Kur nevojitej vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit kundër Izraelit e Bullgarisë, Franca - e cila llogariste të bëhej kampione e botës, pasi që në skuadër kishte lojtarë të mëdhenj si Marcel Desailly, David Ginola, Jean-Pierre Papin, Eric Cantona dhe vetë Blanc - ishte dorëzuar dy herë në Parkun e Princit.
Blanc e kujton shumë mirë këtë rast, por nuk dëshiron që kjo t’i ndodhë edhe ekipit të tij aktual. ‘Këndezët’ gjenden në një pozitë të mirë pasi nuk kanë pësuar humbje që 13 ndeshje, ndërsa prijnë në Grupin D me vetëm një pikë përpara boshnjakëve. Ata e kanë luksin pasi që i zhvillojnë në shtëpi dy ndeshjet e fundit.
“E dija se do të flitej për këtë gjë. Gazetarët nuk e lëshojnë kurrë rastin për t’i kujtuar rastet e tilla, por nuk e di nëse lojtarët e sotëm i kanë parë ato ndeshje. Të vetmet ngjashmëri janë dy ndeshjet finale kundër skuadrave të afta për të na shkaktuar probleme”, ka thënë fillimisht trajneri francez për uefa.com.
“Kur kishte filluar faza kualifikuese, e dinim se disa ndeshje do të ishin më të rëndësishme se tjerat. Mirëpo, është më mirë që të gjendemi në presion dhe të kërkojmë ta arrijmë objektivin për t’i evituar kështu dështimet e mundshme. Duhet të veprojmë në mënyrë që presioni të ketë efekt pozitiv. E dimë se sa pikë na nevojiten tash, por nuk mendojmë vetëm për matematikë. Duam t’i fitojmë dy ndeshjet e fundit duke bërë lojë të mirë dhe duke shënuar sa më shumë gola”, deklaroi Blanc, duke iu referuar ndeshjeve me Shqipërinë dhe Bosnjën.
Francezët në këto dy duele do ta luajnë pa lojtarë të rëndësishëm si Franck Ribéry, Bacary Sagna, Éric Abidal, Blaise Matuidi, Philippe Mexès, Karim Benzema e Laurent Koscielny, të cilët mungojnë për shkak të lëndimeve.
Blanc ka besim se ekipi i tij mund ta mposhtë atë të Josip Kuzes për herë të dytë, ndërsa Bosnja e Hercegovina po ashtu mund të fitojë ndaj Luksemburgut në shtëpi. Kjo do të thoshte se pozita e parë do të vendosej të martën mbrëma në ballafaqimin direkt Francë – Bosnje.