E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e maturantit, kërkohet për herë të nëntë zhvarrimi

Babai i Mikel Ajçes i drejtohet Gjykatës së Lartë

Prindërit e Mikel Ajçes, gjimnazistit të gjetur të varur dy vjet më parë, vazhdojnë të insistojnë me kërkesën e tyre për rihapjen e hetimeve dhe zhvarrimin e 18-vjeçarit. Pasi gjykata dhe prokuroria ka rrëzuar plot tetë herë kërkesat e familjes për rihapjen e hetimeve, prindërit kanë vendosur t’i drejtohen edhe Gjykatës së Lartë.

Ata dyshojnë dhe këmbëngulin në faktin se djali është vrarë. Edhe pse kanë kaluar dy vjet nëpër seanca të shumta gjyqësore, ata vazhdojnë të mos heqin dorë nga pretendimi i tyre, pavarësisht se çështja është pushuar disa herë, duke konkluduar se 18-vjeçari nga Bilishti është vetëvarur në litar. Të afërmit dyshojnë se djali i tyre mund të jetë vrarë në mjediset e shkollës së mesme që ai frekuentonte, nisur nga konfliktet që ka pasur me drejtorin e shkollës. Për të tetën herë kërkesa për nisjen e hetimeve është rrëzuar, edhe pse prindërit i kanë kaluar të gjitha hallkat e Gjyqësorit, Gjykatën e Rrethit dhe atë të Apelit.

Së fundmi, pas pushimit të çështjes në muajin maj nga ana e gjykatës së rrethit, prindërit e Mikel Ajçes i janë drejtuar sërish Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin për pushimin e çështjes. Sipas babait, Halim Ajçe, rinisja e hetimeve duhet të kryhet nisur nga disa prova që hedhin dritë mbi ngjarjen, duke u nisur edhe nga fakti se nuk janë marrë në pyetje disa nga dëshmitarët dhe shokët e klasës së 18-vjeçarit.

Por në seancën gjyqësore të zhvilluar dje në Gjykatën e Apelit të Korçës, Halim Ajçe ka ngritur edhe pretendimin se nga aktet e ekspertizës dhe të morgut rezulton se 18-vjeçari ka gjetur vdekjen në orët e mëngjesit, edhe pse ai u gjet i varur në litar rreth orës 13:00 të datës 22 shkurt të vitit 2008. Bazuar në këtë përfundim, babai i adoleshentit pretendon se djali ka vdekur rreth gjashtë orë përpara se të gjendej trupi. Halim Ajçe ka thënë para trupit gjykues se ka dyshime të forta se djali mund të ketë vdekur ndërsa ka qenë në shkollë. Babai i viktimës, prej të paktën dy vjetësh insiston se djali është vrarë, pasi ndaj tij është ushtruar dhunë në mjediset e shkollës së mesme nga ana e mësuesve. Ai ka thënë se kanë qenë tre persona që e kanë thirrur në drejtori djalin e tij dhe më pas e kanë qëlluar me shqelma. Sipas Ajçes, djali u ka ngelur në dorë drejtuesve të shkollës, të cilët kanë improvizuar edhe varjen në litar, për të devijuar hetimet mbi këtë çështje. Ai e bazon këtë edhe në deklaratat e disa shokëve të klasës, që sipas babait i kanë treguar se në momentin kur i është komunikuar përjashtimi nga shkolla, 18-vjeçari Mikel Ajçe është rrahur në drejtori. Ky version është hedhur poshtë nga prokurorja e çështjes, Irma Balli, sipas së cilës, pas kthimit të çështjes për rishqyrtim dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, nuk është konkluduar asnjë nga pretendimet e familjarëve dhe si rrjedhojë gjykata, bazuar në konkluzionet e prokurorisë, e ka pushuar çështjen.

Edhe këtë herë trupi gjykues i kryesuar nga Stavri Kallço ka lënë në fuqi vendimin e pushimit të dhënë nga Gjykata e Faktit, duke e mbyllur këtë rast. Ndërkaq, familjarët e 18-vjeçarit kanë deklaruar se do t’i drejtohen Gjykatës së Lartë për rastin në fjalë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›