Franca, kthehetRiberi, por Evrambetet çështje
FRANCE- Franca ka shansin të nisë shkëputjen në krye të grupit D, pasi këtë të premte do të përballet me Luksemburgun modest në transfertë. Për “Gjelat”, lajmi i mirë është rikthimi i yllit të skuadrës Frenk Riberi, i pezulluar për 3 ndeshje për shkak të revoltës në Kupën e Botës në Afrikë. Lojtari i Bajernit të Mynihut ka qenë i pari që ka dalë në konferencë nga francezët, duke pranuar para mediave se vitin e fundit ka bërë gabime të mëdha, jo vetëm në futboll, por edhe në jetën private. “Dua të rikthehem ai i pari dhe të fitoj dashurinë e tifozëve francezë, - ka deklaruar Riberi. – Kam bërë shumë gabime, si në jetën private, ashtu edhe në futboll. Kam lënduar njerëz që janë shumë të dashur për mua, ndërsa kam lënë të shokuar shumë të tjerë”, shtoi mesfushori. Pas skandalit në Kupën e Botës 2010, Riberi u përfshi në një skandal seksual që kishte në qendër prostitutën marokene Zahia Dehar. Ai u mor në pyetje nga Prokuroria, pasi kishte kryer raporte seksuale kur prostituta ishte ende e mitur. Ndërkohë, në kampin francez, rehabilitimi pas fushatës shkatërruese në Botëror nuk ka përfunduar ende. Pas Riberi, në ekip është kthyer edhe ish-kapiteni Patris Evra, i cili ishte pezulluar për 5 ndeshje nga Federata. Tekniku Loran Blank deklaroi sot se do të zhvillojë një takim me mbrojtësin e Mançester Junajtid, përpara se të vendosë nëse do të luajë apo jo. “Fola me të, por ishte një bisedë e shkurtër në telefon, - deklaroi Blank. – Pres të flas me të, pasi disa gjëra thuhen në fytyrë”, shtoi trajneri i “Gjelave”.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)