Franca mbështet Kosovën

Ai me këtë rast u prit nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Akojer, senatori Didier Bulo, kryetar i Grupit miqësor ndër-parlamentar për Ballkanin Perëndimor, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe anëtar i grupit francez në unionin interparlamentar, nga Erik Furnie, drejtor për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, si dhe nga Ivet Nikolas, presidente e OJQ-së “Le Pelikan”.
Në këto takime, Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, i njoftuan mikpritësit me zhvillimet e fundit në Kosovë, me përparimet që ka bërë Kosova dhe me sfidat me të cilat ajo po përballet.
Po ashtu, delegacioni kosovar paraqiti pikëpamjen institucionale për domosdoshmërinë e shtrirjes së kushtetutshmërisë në veri, për nevojën e shpërbërjes së strukturave ilegale kriminale atje dhe për sigurimin e qarkullimit të lirë e të mirëqenies qytetare.
Anëtarët e delegacionit të Kosovës kërkuan nga Franca dhe Bashkimi Evropian që të bëjnë presion te Beogradi që të heqë dorë nga ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës dhe nga mbështetja që iu bën strukturave kriminale në veri.
“Ne jemi për dialog teknik e simetrik me Serbinë, por jo të kushtëzuar prej saj”, u tha në takim.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Akojer shprehu kënaqësinë për progresin e arritur në Kosovë dhe veçanërisht shprehu nevojën për rolin e fuqishëm të Kuvendit për përmbushjen e kornizës ligjore dhe për forcimin e shtetit ligjor.
“Ne e mbështesim Kosovën, duke e dëshmuar këtë edhe me prezencën franceze atje”, ka thënë ai.