E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca mbështet perspektivën evropiane të Kosovës

Nga Express më 31 maj 2011 në ora 15:23

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Francës, Alain Juppe, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në një vizitë zyrtare në Francë.

Në ditën e parë, Ministri Hoxhaj ka takuar Jean – David Levitte, këshilltar për diplomaci i presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy. Në këtë takim është biseduar për progresin e shtetndërtimit të brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe për perspektivën evropiane.

Në emër të presidentit Sarkozy, Levitte e ka siguruar ministrin Hoxhaj se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë në agjendën e Francës. Ai ka shtuar se Franca përkrah progresin dhe reformat, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai po ashtu ka shprehur përkrahjen e Francës për shtimin dhe përmbylljen e procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës, si dhe për realizimin e aspiratave për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Ministri Enver Hoxhaj, ka informuar këshilltarin Levitte për reformat e brendshme, për sundimin e ligjit, për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe për punën që po bëjnë autoritetet kosovare për të përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave.

Në këtë kontekst, Enver Hoxhaj, ka kërkuar ndihmën e Francës për procesin e liberalizimit të vizave, për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe për përmbylljen e procesit të njohjeve.

Të martën ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, para shumë diplomatëve, profesorëve dhe akademikëve ka mbajtur një ligjëratë në Institute Français des Relations Internationales (IFRI), me titullin “Shtetndërtimi dhe perspektiva Evropiane e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›