James Berisha: Shpëtova

(E plotësuar) Piloti shqiptaro-amerikan, James Berisha, para pak çastesh ka postuar një deklaratë në profilin e tij në Facebook, përmes së cilës konfirmon aksidentin që kishte pasur në shkretëtirat e Sudanit, por që fatmirësisht ka shpëtuar i gjallë.
Berisha, përmes kësaj deklarate, thotë se aksidenti ka ndodhur të dielën pasdite dhe pasi kishte qëndruar në minierën “Hassai Mine” për disa orë, rreth orës 23:00 e kishte marrë Shërbimi Policor i Sudanit, për të cilët thotë se e kanë maltretuar.
Berisha shpreson se pasi të rregullohet aeroplani, do të niset nga pista e minierën “Hassai Mine”.
Deklarata e plotë e James Berishës:
"Të dashur përkrahës të misionin, ju falënderoj nga zemra për vëmendjen që keni treguar gjatë tërë misionit, e sidomos në momentet e mija më të vështira.Siç e dini, kam pasur një aterrim urgjent të detyrueshëm në shkretëtirat e Sudanit dhe falënderoj Zotin që jam gjallë.
Aksidenti ka ndodhur në ditën e Diele pasdite. Për shkak të pamundësisë së komunikimit, informatat janë përcjellur pjesë-pjesë. Pas ngjarjes për me të cilën ju tani jeni të njoftuar, unë kam qëndruar për disa orë në minierën “Hassai Mine” nën përkujdesjen e stafit të minierës. Ditën e Diele, rreth orës 23:00 erdhi shërbimi policor i Sudanit dhe më mori nga miniera, më dërgoi në fshatin më të afërt, që ishte rreth 2 orë larg. Policia më mbajti deri ditën e Hëne në mbrëmje, dhe më lëshuan vetëm pas intervenimit të z.Denis Baillargeon që është drejtori i asaj miniere.
Gjatë mbajtjes në polici, kam kaluar nëpër intervista hetimore, nënshkrime të shumta, procedura e maltretime gjatë tërë ditës, me shumë pak ushqim dhe ujë. Natën më dërguan në një shtëpi të mbuluar me llastër ku temperaturat ishin shumë shumë të larta. I jam shumë mirënjohës z.Baillargeon që më shpëtoi nga ai vend.
Aeroplani është ende në shkretëtirë, në vendin e aksidentin dhe është nën përkujdesjen e policisë. Grupi hetues nga Aviacionit Civil i Sudanit janë duke ardhur prej Khartoum-it, dhe ata do ta bëjnë analizën e aksidentit dhe do të marrin vendim se si do të vazhdojmë më tutje.
z.Denis Baillargeon ka ofruar numër të konsiderueshëm të pajisjeve të minierës dhe mjete të transportit, në mënyrë që të mund ta sjellim aeroplanin deri afër minierës. Miniere posedon një pistë për aeroplanët e tyre dhe shpresoj që do të mund të nisem nga kjo pistë pas rregullimit të aeroplanit.
Do të mundohem të ju përcjell informacione sa herë që të mundem. Ju falënderoj përsëri!Kapiteni juaj, James Berisha". /InfoSot/
James Berisha ne rrezik
James Berisha, piloti i njohur shqiptar, i cili me aeroplanin e tij privat udhëton nëpër vende të ndryshme të botës me qëllim lobimin për njohjen e Kosovës, ka pasur një aterim të detyruar dhe tejet të vështirë në një shkretëtirë të Sudanit.
Gjatë fluturimit të tij nga Port Sudan në Khartoum, diku 10-15 minuta pas nisjes, aeroplani i James pësoi një dëmtim serioz. Për shkak të motit shumë të nxehtë dhe aeroplanit të vjetër, cilindri i parë në anën e djathtë të motorit të aeroplanit është ndarë në dy pjesë dhe kështu James për 15 minuta u detyrua ta drejtojë aeroplanin pa motor.
Në ato momente James po fluturonte mbi një shkretërirë ku ishte i pa mundur aterimi, dhe fatmirësisht ai arriti të kontaktojë një pilot në një aeroplan tjetër, i cili i dha instruksione aeroplanit kosovar që aterojë në një rrugë.
Sipas faqes së tij zyrtare, aeroplani besohet të jetë i dëmtuar dhe dy orë pas aksidentit, një veturë që po kalonte aty pranë njoftoi policinë sudaneze.
James aktualisht është në një minierë pranë vendit të aterimit, nën përkujdesjen e minatorëve, përderisa aeroplani është në duart të policëve. Ai momentalisht gjendet në një moment kritik dhe nuk është e qartë çfarë mund të ndodhë me të.
“U bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë ndonjë kontakt në Sudan, apo që mund të ndihmojnë në ndonjë formë tjetër, ta bëjnë këtë sa më shpejtë që është e mundur. Vendi ku gjendet James në kuota gjeografike: Koordinatat – 18 shkallë 42 minuta dhe 10. 26 sekonda në Veri dhe 35 shkallë 22 minuta dhe 39 sekonda në lindje.”, thuhet në faqen e tij zyrtare.