Hyseni në Stamboll dhe Kajro
Me ftesë të kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni ka udhëtuar për në Turqi, ku të shtunën do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Stambollit si kryeqytet kulturor i Evropës për vitin 2010.
Gjithashtu, sipas një njoftimi të MPJ’së, të dielën, ministri Hyseni arrin në Kajro për një vizitë zyrtare në Selinë e Ligës së Shteteve Arabe, ku të hënën do të pritet në një takim të veçantë nga Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Shteteve Arabe, Amr Musa.
“Gjatë qëndrimit njëditor në Kajro, Hyseni do të zhvillojë edhe aktivitete të tjera dhe takime me ambasadorë nga vende të ndryshme, anëtare të Ligës së Shteteve Arabe”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.