E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, operacionet e verës shtyhen të gjitha për në shtator

Mjekët me leje, ndërpriten operacionet në të gjitha klinikat

Emanuela Sako

Operacionet në QSUT do të ndërpriten gjatë sezonit të nxehtë të verës. Shkak për ndërprerjen e operacioneve janë bërë temperaturat e larta dhe marrja e lejeve nga personeli mjekësor. Shefi i Shërbimit të Klinikës Kirurgjikale në QSUT, Ylli Ziçishti, shpjegoi për gazetën “Albania” se kjo ndërprerje është normale sepse temperaturat e larta janë të dëmshme për mbarëvajtjen e pacientëve që kanë kryer operacion. Sipas tij, çështje tjetër është se mjekët do të marrin sezonin e pushimeve. Ndërsa në spital do të qëndrojnë një staf i reduktuar mjekësh që do të presin rastet e urgjencave. E thënë ndryshe, operacionet që do të Kryhen në QSUT gjatë muajve të nxehtë të verës, do të jenë vetëm rastet emergjente, kur pacientëve iu rrezikohet jeta. Duke u nisur që nga muaji korrik, në regjistrat e spitaleve nuk do të ketë asnjë datë të përcaktuar për kryerjen e operacioneve.
Situata
Burime të tjera pran QSUT-së shprehen se ndërprerja e operacioneve gjatë muajve të nxehtë bëhet edhe për shkak të mungesës së furnizimit me ujë të pavijoneve dhe sallave kirurgjikale. ǒka do të thotë se po nuk pati ujë nuk ka kryerje të operacioneve. Ky është një problem i përvitshëm në qendrat spitalore të vendit, ku mungesa e ujit është kthyer në një rutinë të sezonit veror. Ndërsa ata që do të përballen me vështirësi më të mëdha shëndetësore do të jenë pacientët. Ata janë të detyruar që të caktojnë datën për kryerjen e operacioneve në muajin shtator. Pacientët do të marrin shërbim ambulator derisa mjekët të vendosin për kryerjen e operacioneve.
Mjekët
Si në çdo institucion tjetër shtetëror edhe mjekët do të marrin pushimet e verës. Por një pjesë e mjekëve do të marrin më tepër ditë leje nga lejet e zakonshme. Kjo sepse, shumica e tyre janë pjesë e stafit akademik në Fakultetin e Mjekësisë. Dhe si çdo pedagog, ata do të kenë rreth dy muaj leje. Në këtë mënyrë, profesorët do të largohen edhe nga rutina e përditshme e spitaleve. Ndërsa të gjithë bluzat e bardha do të vendosin datat e lejeve sipas një kalendari të përcaktuar nga ata vetë. Në mënyrë të tillë do të koordinohen për të qëndruar në punë gjatë ditës apo dhe mjek roje për të pritur rastet e urgjencave, apo në raste të tjera, për t’iu qëndruar pranë pacientëve që janë shtruar në pavijone të ndryshme të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.

Regjistrimi i foshnjave, prindërit nuk do të shkojnë më në gjykatë

Për vonesat në regjistrimin e foshnjave, prindërit nuk do të shkojnë më në gjykatë. Ata nuk do të penalizohen nga gjykata nëse nuk e kanë regjistruar fëmijën e tyre brenda afatit të përcaktuar. Së fundmi, është ndryshuar me ligj, që prindërit do të kenë punë vetëm me gjendjen civile, ku do të kryejnë regjistrimin e fëmijës brenda 60 ditëve. Në rast se afatet do të shkelen, atëherë prindërit nuk do të përfitojnë shumën e 5 mijë lekëve. Dhënia e kësaj shumë është aplikuar brenda këtij viti nga Bashkia e Tiranës, e cila përbën një nismë të re të këtij lloji. Sipas rregullores së Bashkisë, çdo fëmijë që lind i dhurohet që shumë lekësh, që ata ta ruajnë në bankë dhe ndërkohë familjarët ta shtojnë këtë përqindje. Një nismë e tillë e bashkisë është vendosur, që kur të rritet fëmija të ketë një llogari të vetën bankare, e cila mund të shpenzohet për kryerjen e studimeve.

Uji i pijshëm, problemet me ujërat e zeza
Sistemi i ujësjellësit në kryeqytet është në gjendje problematike. Kjo ndodh sepse kanalizimet e ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm janë fare pranë njëri-tjetrit, gjë që shpesh është bërë shkak për ndotjen e këtij të fundit. Por, muajt e fundit, qytetarët kanë konsumuar ujë të pijshëm brenda normave të lejuara. Drejtoria e Higjienës bën të ditur se në Tiranë nuk ka pasur raste të të sëmurëve nga uji i pijshëm. Aktualisht, kjo drejtori po përgatitet për të kryer analizat e muajit të ardhshëm, si dhe me verifikimin e të gjithë burimeve të ujit në çdo zonë të Tiranës. Ndërkohë që, klorinimi i ujit bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe brenda normave të lejuara. Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Higjienës, nuk dihet ende se si do të jetë përballja me stinën e nxehtë të verës dhe me problemet që mund të shfaqin ndotjen e ujit të pijshëm.

Si do të punësohen mbi 12 mijë të papunë falë sistemit informatikë

Mbi 12 mijë të papunë vetëm në kryeqytet pritet të punësohen sipas sistemit Informatik të Punësimit. Por përveç punësimit të kësaj kategorie, ky sistem do ti shërbejë edhe 18 mijë bizneseve në Tiranë, për të gjetur punëtorë. Burime nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se funksionimi i këtij sistemi do të rrisë numrin e të punësuarve në vend. Ministria e Punës, promovoi dje, funksionimin e sistemit Informatik të Punësimit (IT), që Shërbimi Kombëtar i Punësimit po zbaton në Zyrat Rajonale Pilot të Punësimit në Tiranë dhe Korçë dhe që do të shtrihet edhe në Zyrat e tjera Rajonale të Punësimit. Ky sistem informatik është përgatitur në kuadër të projektit suedez “Shërbime Punësimi Efiçente në Shqipëri”, faza e parë e të cilit përfundon me lançimin e sistemit informatik dhe dorëzimin zyrtar të softëerit dhe hardëerit të instaluar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Në fushën e IT-së, është kryer një investim konkret në hardëere dhe softëere nga Qeveria Suedeze në shumën 300 mijë euro, duke pajisur Zyrat Pilot në Tiranë dhe Korçë, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit me pajisje të IT-së të standardeve europiane. Konkretisht nëpërmjet këtij sistemi informatik, Drejtoritë Rajonale të Punësimit Tiranë dhe Korçë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit, do të bëjnë të mundur për punëdhënësit (biznesin) publikimin e ofertave të punësimit, duke krijuar më shumë mundësi për të gjetur kandidatin e përshtatshëm për të plotësuar vendet e lira të punës. Ndërsa për punëkërkuesit dhe personat e tjerë që kërkojnë punë, do të ketë më shumë mundësi për të kërkuar vende të lira pune të përshtatshme për profesionin e secilit J.Tashi

KOPOTED bën publike penalizimet për kopjimet
Komisioni i testeve të dyshuara për kopjim në provimin e Gjuhë-Letërsisë bën publike penalizimet për kopjimet. Masat që janë marrë nga KOPOTED janë: Për nxënësit, testet e të cilëve kanë rezultuar me disa përgjigje të njëjta u janë zbritur pikët në atë pyetje (7 nxënës). Për nxënësit që kanë rezultuar me të gjitha përgjigjet të njëjta nuk u është njohur rezultati (6 nxënës). Për administratorët e provimit, nxënësit e të cilëve kanë rezultuar me teste me përgjigje tërësisht apo pjesërisht të njëjta është ndërmarrë masa “Vërejtje” (1 administrator) dhe “Vërejtje me Paralajmërim” (11 administrator). KOPOTED ka konsideruar si teste të rregullta ato teste që nuk kanë pasur probleme të karakterit teknik dhe që nuk kanë rezultuar të jenë plotësisht apo pjesërisht me përgjigje të njëjta (të kopjuara) në zhvillimin e tyre. Ndërsa si teste tw parregullta janë konsideruar ato teste që kanë rezultuar me një përgjigje të kopjuar, ose kanë pasur një ose disa pyetje të testit me zhvillim të njëjtë. Kurse teste që kanë rezultuar me probleme teknike janë konsideruar testet, ku janë rrethuar të gjitha alternativat, kanë pasur shenja dalluese (në test), janë shkruar me disa ngjyra.

1 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›