E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca nuk njeh kufij, humb edhe ndaj afrikanëve



Leonard Karaj

Afrika e Jugut dhe Franca i kanë dhënë dje lamtumirën Botërorit pas ndeshjes së tretë dhe të fundit në grupin A. Ndërsa janë kualifikuar për më tej Uruguai dhe Meksika.
Afrikano-jugorët, edhe pse fituan nuk mundën që të kualifikoheshin pasi kishin nevojë për një fitore me shumë gola ndaj francezëve, për të përfituar nga fitorja 1-0 e uruguaianëve ndaj Meksikës, çka nuk u arrit. Kështu pas 19 Kampionatesh Botërore është hera e parë që organizatorët e këtij evenimenti nuk arrijnë që të kualifikohen pas ndeshjeve në grupe. Por më shumë se ky fakt vlen të theksohet dështimi total i futbollit francez, “i përpirë” kohët e fundit edhe nga polemika të zjarrta brenda për brenda skuadrës. Por në ndryshim nga Botërori i tetë viteve më parë në Kore e Japoni ku “gjelat” nuk shënuan asnjë gol, në Afrikë të Jugut, pikërisht në ndeshjen e djeshme të vetmen shënjestër e sigloi Florent Malouda.
Trajneri i Afrikës së Jugut, Karlos Alberto Parriera, bëri pesë ndryshime nga ekipi që hodhi në humbjen 3-0 kundër Uruguait. Parreira ndërtoi një linjë më të fuqishme sulmuese, duke çiftuar sulmuesit Bernard Parker dhe Mphela përballë portës. Tekniku u dha gjithashtu një shans nga minuta e parë Ngkongka dhe Sibaja. Ndërsa Domenek bëri gjashtë ndryshime nga ekipi që humbi 2-0 me Meksikën. Por në ndryshim nga kolegu i tij, që zëvendësimet i bëri për arsye taktike, francezi ishte i detyruar të hidhte atë ekip titullarësh pasi një pjesë e mirë e lojtarëve nuk kishin dashur që të luanin këtë takim, përfshi këtu edhe kapitenin, Patris Evra. Dhe natyrisht që humbja në një farë mënyre ishte “gatuar” që në dhomat e zhveshjes. Ndërkaq në sfidën tjetër të këtij grupi Uruguai fitoi kundër Meksikës, duke zënë vendin e parë në grupin A (7 pikë) dhe shmangur përballjen me rivalin e përjetshëm, Argjentinën e Lionel Mesit. Edhe Meksika u kualifikua për në fazën me eliminim direkt falë golaverazhit më të mirë se Afrika e Jugut, pasi të dyja skuadrat e mbyllën serinë me tri ndeshje në fazën e grupeve në kuotën e katër pikëve: 3-2 golavarazhi i Meksikës, 3-5 ai Afrikës së Jugut. Në fakt, të gjithë prisnin një barazim të mundshëm midis dy skuadrave, e që i çonte pa probleme në turin tjetër të Botërorit, por Uruguai, falë golit me kokë të Luis Suarezit në minutën e 44-t fitoi ndeshjen duke siguruar vendin e parë në grup.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›