Argjentina, leksion grekëve
Leonard Karaj
Një Argjentinë fantastike që i jep një dorë edhe Koresë së Jugut për t’u kualifikuar në 1/8 e finaleve të Botërorit afrikan.
Skuadra e Diego Armando Maradonës i ka dhënë një leksion futbolli Greqisë së Oto Rehagel, jo më shumë në rezultat sesa në lojë. Një Lionel Mesi i papërmbajtshëm por mbi të gjitha një skuadër që edhe pse ndryshon 7 nga 11 lojtarët e formacionit titullar (paçka se edhe këta të fundit janë po aq titullarë sa edhe të parët) arrin të krijojë me qindra raste duke dhuruar një spektakël të vërtetë në fushën e lojës. Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim por me shumë raste nga ana e latino-amerikanëve, në të dytë vjen goli i një mbrojtësi, Demikelis. Maradona, nga bankina qetësohet më shumë dhe bën “nderet” e rastit. Fut në lojë Martin Palermon, lojtari më i vjetër i Botërorit, i cili gjendet në vendin e duhur dhe kohën e duhur kur Mesi pasi driblon gjithë mbrojtjen greke i mohohet goli nga grushtimi i portierit. Topi kthehet te këmbët e Palermos, i cili nuk e ka të ëvshtirë të shënojë golin e dytë. Me këtë rezultat Argjentina bëhet kështu ekipi i parë në këtë Botëror që siglon vetëm fitore. Ndërkohë në ndeshjen tjetër të po këtij grupi, Koresë së Jugut i mjaftoi një barazim 2-2 me Nigerinë për t’u kualifikuar më tej. Koreanët e nisën keq ndeshjen aq sa rrezikuan që të mos kalonin grupin pasi shkuan në disavanatzh. Por dy gola të shpejtë të So Li dhe Jong Park siguruan në një farë mënyre 1/8 e finaleve kësaj skuadre. Ndërsa Nigeria e Lars Lagerbak u mjaftua me një pikë të marrë edhe kjo pas barazimit të sigluar nga pika e bardhë e penalltisë nga Jakubu. Në 1/8-at Argjentina do luajë ndaj Meksikës ndërsa Koreja e Jugut ndaj Uruguait, ku natyrisht të favorizuara teorikisht duken dy skuadrat amerikano-jugore.