E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca, organizatore e Euro 2016



Franca do të organizojë Kampionatin Europian të vitit 2016. Vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u bë i ditur nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, në Gjenevë të Zvicrës. Për herë të parë në finalet e Kampionatit Europian do të marrin pjesë 24 ekipe. Edhe Shqipëria shpreson të jetë një prej finalisteve.
Italia u eliminua në votimin e parë nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, ndërkohë që në votimin e dytë, Franca fitoi numrin më të madh të votave në raport me rivalen e saj, Turqinë. “Dua së pari të falënderoj miqtë tanë nga Italia dhe Turqia, pasi e di mund të ndihen të hidhëruar pas një pune të gjatë disa mujore dhe i dëshiroj futbollit italian dhe atij turk fat”, - tha presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Zhan-Pier Eskalet. “Për ne është një moment i emocioneve të mëdha, nisur edhe nga fakti se në vitin 2016 ne do të mirëpresim futbollin europian në Francë. Ne do të përmbushim premtimet tona. Falënderojmë miqtë tanë në Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ata patën besim te ne . Kjo është një ditë e bukur për ne”. Oferta e Federatës Franceze të Futbollit përfshin 12 stadiume, shtatë prej të cilëve do t’u nënshtrohen rinovimeve të mëdha, ndërsa katër do të jenë të rinj në 11 qytete: Bordo, Lens, Lille, Lion, Marseille, Nansi, Nice, Paris (Stade de France dhe Parc des Princes), Saint-Etienne, Strasbuurg dhe Tuluz. Franca ka organizuar më parë Kampionatin Botëror në vitin 1938 dhe 1998, duke fituar trofeun në këtë të fundit, por edhe ka triumfuar në Kampionatin Europian të vitit 1984, të organizuar në vendin e tyre. “Les Bleus” kanë fituar edhe Kampionatin Europian të vitit 2000 të organizuar në Vendet e Ulëta, Belgjikë/Holandë, ndërkohë që në finalen e Botërorit 2006 u mundën në finale nga Italia. Kampionati Europian i vitit 2012 do të organizohet në Poloni dhe Ukrainë.

29 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›