E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca, përsëri kampione e botës

Në njërën prej finaleve më interesante në dekada, Franca mbrojti titullin e kampionit të botës në hendboll duke mposhtur pas lojës shtesë Danimarkën 37:35. Për Trekolorët, ky është titulli i katërt i kampionit të botës. Pozita e tretë i takoi Spanjës që mposhti Suedinë nikoqire 24:23. Nga Express më 31 janar 2011 në ora 07:01

Franca mposhti Danimarkën luftarake 37-35 në lojën shtesë të dielën dhe fitoi titullin e katërt të njëpasnjëshëm në garat më të rëndësishme në hendboll. Trekolorët ishin në disavantazh vetëm një herë gjatë finales në Malmo (32:33), derisa kurorën e vitit 2011 ia shtuan medaljes së artë olimpike nga viti 2008, titullit të kampionit të botës 2009 dhe trofeut evropian nga 2010-ta. Franca barazoi Rumaninë dhe Suedinë duke fituar katër tituj të kampionit botëror. Ata po ashtu janë ekipi i parë që ka fituar tituj të njëpasnjëshëm në Botëror, pas Rumanisë më 1970/1974 dhe u kualifikuan drejtpërdrejtë për në Olimpiadën 2012.

Loja në kohën e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 31:31 dhe fituesi u desh të përcaktohej në lojën shtesë. Në njërën prej finaleve më interesante në dekadat e fundit të një kampionati botëror në hendboll, Jerome Fernandez shënoi dy herë në shtesë ndërsa portieri Thierry Omeyer bëri një pritje shumë të rëndësishme duke i hapur rrugën Francës drejt fitores te rezultati 36:34. Goli i 12-të nga ylli danez Mikkel Hansen, 20 sekonda para fundit erdhi shumë vonë, ndërsa Mickel Guigou e festoi rezultatin përfundimtar 37:35 duke kërcyer në ajër. Vërshëllima e fundit, triumfi i takoi Francës, për një natë festive nga Les Blues.

Medalja e bronztë për Spanjën
Spanja fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin botëror në hendboll pasi në ndeshjen për pozitën e tretë mposhtën Suedinë nikoqire me rezultat të ngushtë 24-23. Iberikët vallëzuan në parket, ndërsa Suedia u mbulua nga dëshpërimi. Ndeshja ishte e barabartë nga fillimi e deri në minutën e fundit të saj, sidomos falë paraqitjeve të shkëlqyeshme nga portierët e të dyja skuadrave, Arpad Sterbik (Spanja) dhe Johan Sjostrand (Suedia). U nevojitën 28 minuta që Suedia të kalojë për herë të parë në epërsi me dy gola (10-8). Por, epërsia nuk zgjati shumë pasi spanjollët barazuan 30 sekonda para përfundimit të pjesës së parë. Menjëherë pas vazhdimit, Spanja mori kontrollin dhe krijoi epërsi prej tre golave pas shënimit nga Juanin Garcia. Por, përkrahja e zëshme dhe frenetike e më tepër se 12 mijë tifozëve i dhanë krah skuadrës nikoqire dhe në minutën 54, Jonas Kallman barazoi përsëri. Gjashtë minutat e fundit të takimit ishin triler i vërtetë, por Suedia nuk arriti të rikthejë rezultatin. 60 sekonda para fundit, Spanja shënoi për 24-22, por Jonas Larholm ngushtoi në 24-23 që ishte edhe goli i fundit i takimit. Golashënuesi më i mirë ishte Kallman me gjashtë gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›