Lushtaku bind Kalmarin
Futbollisti kosovar, Kushtrim Lushtaku me sukses i ka kaluar provat disaditore në Kalmar. Në fakt, drenicasi është në mesin e tre sulmuesve të cilët i kanë kaluar me sukses provat te ekipi suedez.
Tani drejtuesit e Kalmarit do të bisedojnë me të tre këta futbollistë rreth kushteve financiare, dhe njërit prej tyre sigurisht se do t’i ofrojnë kontratë. Këtë e ka bërë të ditur
selektori i Kosovës, Albert Bunjaku, i cili ua ka propozuar Lushtakun udhëheqësve të Kalmarit.
“Drejtuesit e Kalmarit më njoftuan sot (e diel) se Kushtrimi i ka kaluar me sukses provat. Përveç tij, edhe dy sulmues të tjerë i kanë kaluar provat. Zyrtarët e Kalmarit do të bisedojnë me këta tre futbollistë rreth kushteve ekonomike dhe disa gjërave të tjera dhe njërin prej tyre do ta ndalin”, deklaroi Bunjaku për Express.
Por edhe nëse nuk arrin marrëveshje me Kalmarin, sipas Bunjakut, Lushtaku mund të kalojë në ndonjë skuadër tjetër.
“Sigurisht se ka edhe ekipe të tjera të interesuara për Kushtrimin. Mediat suedeze kanë raportuar se ai po tregon cilësi gjatë provave në Kalmar dhe sigurisht se ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të tjera. Pra, ai do t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë”, u shpreh Bunjaku.
Sipas tij, Lushtaku do ta marrë një vendim jo të ngutshëm, pasi do të ketë kohë deri më 31 mars, kur në Suedi përfundon afati kalimtar. 21-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2012 me klubin nga Bundesliga 2, Munchen 1860. Por, duket se gjermanët janë të gatshëm ta lirojnë para kohe kosovarin.
Nëse Lushtaku arrin marrëveshje me drejtuesit e Kalmarit, aty do t’i gjejë edhe Alban Dragushën, Liridon Lecin, Besnik Rustemajn dhe Etrit Berishën.