E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azerbajxhani insiston për Kelmendin e Kukën

Federata e Xhudos e Azerbajxhanit po vazhdon përpjekjet që t’i bëjë për vete Majlinda Kelmendin dhe trajnerin e saj, Driton Kuka. Dy të fundit edhe zyrtarisht kanë marrë ofertë joshëse nga drejtuesit e kësaj federate. Kuka thotë se mund ta pranojnë këtë ofertë, nëse nuk marrin mbështetje nga Kryeministri në largim, Hashim Thaçi. Nga Valon Konushevci më 31 janar 2011 në ora 11:01

Azerbajxhani po vazhdon të insistoj që Kosovës t’ia marrë shpresën e vetme për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’, xhudisten Majlinda Kelmendi.

Udhëheqësit e Federatës së Xhudos të Azerbajxhanit i kanë bërë ofertë zyrtare Majlinda Kelmendit dhe trajnerit të saj, Driton Kuka për t’i pajisur që të dy me pasaporta të këtij vendi.

Azerbajxhanasit ua kishin bërë dy kosovarëve ofertë gojarisht edhe para disa ditëve në Baku, ku qe mbajtur një turne prestigjioze, në të cilin Kelmendi kishte zënë vendin e pestë.

“I nderuri Driton Kuka, kam nderin të të njoftoj me ofertën e Federatës së Xhudos të Azerbajxhanit si vijon: Ju së bashku me atleten tuaj mund të punoni në shtetin tonë. Ju mund të qëndroni në shtetin tuaj dhe të vini në Azerbajxhan për t’u përgatitur para garave të ndryshme ndërkombëtare dhe bashkë me ekipin tonë shtetëror mund të udhëtoni për pjesëmarrje nëpër ato gara”, thuhet në ofertën e azerbajxhanasve bërë Kukës dhe Kelmendit.

“Federata e Xhudos e Azerbajxhanit është e gatshme t’u paguajë që të dyve me nga 5 mijë euro në muaj. Po ashtu, federata jonë është e gatshme t’ju shpërblej ekstra për çdo arritje tuajën që e bëni nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare, e posaçërisht në Lojëra Olimpike. Për detaje mund të diskutojmë në Paris”, thuhet pos tjerash në ofertën e azerbajxhanasve bërë dyshes kosovare, e cila shkresë ka ardhur nga asistenti i presidentit të Federatës së Azerbajxhanit, Elchin Maharramov.

Ndërkohë, vetë Kuka nuk e ka përjashtuar mundësinë që bashkërisht me Kelmendin ta pranojnë këtë ofertë. Në fakt, ai thotë se dëshira e tij dhe e Kelmendit është që në ‘Londra 2012’ ta përfaqësojnë Kosovën. Sipas Kukës, edhe shteti ynë duhet t’u ofrojë kushte për një përfaqësim sa më të mirë në Olimpiadë.

Ai ka kujtuar se Kelmendi po përballet me mungesë të madhe të mjeteve financiare për t’u përgatitur si duhet, derisa fillimi i Lojërave Olimpike po ofrohet. Sipas tij, nga kjo situatë po mundohen të përfitojnë shtete të tjera, të cilat po i ofrojnë Kelmendit nënshtetësi përkatëse, duke e stimuluar atë në mënyra të ndryshme.

Megjithatë, trajneri pejan thotë se bashkë me Kelmendin, vendimin e final se ngjyrat e cilit shtet do t’i mbrojnë në të ardhmen, do ta marrin pas një takimi që mendojnë ta zhvillojnë me kryeministrin në largim, Hashim Thaçi.

“Këto ditë do kërkojmë takim me kryeministrin Thaçi, që të kërkojmë përkrahje, sepse Majlinda është duke u joshur nga të tjerët me shuma të mëdha të hollash. Nëse në Kosovë nuk u sigurohet nga një pagë Kelmendit dhe trajnerit të saj, atëherë do të jetë një humbje e madhe për shtetin tonë, nëse sportistja jonë del jashtë vendit për shkaqe ekonomike”, ka thënë Kuka nëpërmjet një kumtese për media.

Madje, ai ka pohuar se bashkë me Kelmendin janë të gatshëm të vazhdojnë ta përfaqësojnë Kosovën me paga pesëfishë më të vogla sesa që ua ka ofruar Azerbajxhani.

Kelmendi, nënkampione në Sofje

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendit të shtunën doli nënkampione në Kupën botërore për seniore në kategorinë 52 kg, që është mbajtur në Sofje të Bullgarisë. 19-vjeçarja në finale është mposhtur nga japonezja Yuki Hashimoto, derisa më herët kishte triumfuar në katër lufta.

Ajo ka lënë pas vetes kampionen aktuale të Evropës, rusen Natalia Kuzyutina që ka përfunduar në vendin e tretë. Kurse, xhudistja tjetër kosovare, Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kg ka zënë vendin e pestë, të cilin sukses ajo nuk e kishte arritur asnjëherë më parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›