Franca peshkon Irlandën e Trap
Europa, kryeqendra konkurruese dhe financiare e futbollit (disa thonë edhe zemra e tij) fiton dy herë më shumë vende për në Botëror se çdo kontinent tjetër. 53 skuadra luftojnë për 13 bileta, 9 nga të cilat janë vendosur. Katër të fundit përcaktohen pas ndeshjeve "play-off" me vajtje-ardhje muajin e ardhshëm, ku Franca, Portugalia, Rusia dhe Greqia shikohen si favoritet. Të hënën në Zyrih, tetë ekipet më të mira, që zunë vendet e dyta në eliminatoret europiane, kanë mësuar kundërshtarët e tyre: Franca do të luajë ndaj Irlandës, Portugalia do të përballet me Bosnjë- Hercegovinën, Rusia do të ndeshet me Slloveninë dhe Greqia do sfidojë Ukrainën për të shkuar në verë në Afrikën e Jugut. Ndeshjet do të luhen më 14 dhe 18 nëntor. Përzgjedhja u bazua në renditjen e fundit të FIFA-s, të publikuar të premten. Franca (9), Portugalia (10), Rusia (12) dhe Greqia (16) u vunë në një vazo, duke garantuar një mospërballje me njëra-tjetrën. Ukraina (22), Irlanda (34), Bosnjë-Hercegovina (42) dhe Sllovenia (49) në një vazo tjetër. Bosnja po kërkon kualifikimin e parë në një Botëror, ndërsa Sllovenia biletën e dytë në historinë e saj. Sllovenia filloi të luante si një kombëtare më vete pas pavarësisë në vitin 1991 dhe u kualifikua për herë të parë në Botëror në 2002. Greqia, kampionia e Euro 2004, nuk ka luajtur në një Botëror që nga 1994. Por gjatë suksesit të saj kontinental para katër vitesh, grekët mundën Francën dhe Portugalinë në rrugën drejt titullit. Greqia do të luajë ndaj Ukrainës, një skuadre që e njeh shijen e hidhur të humbjes në ndeshjet "playoff". Në eliminatoret e 1998 dhe 2002, Ukraina u mund në "playoff", para se të kualifikohej në turneun e 2006, ku u eliminua nga kampionia e Botës, Italia, në çerekfinale. Irlanda mori pjesën në Botërorin 2006 në Gjermani, por ka përparuar në ndeshjet në grupe në tre Botërorët e mëparshëm 1990, 1994 dhe 2002. Rusia, në kërkim të rikthimit të lavdisë në botë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, që pati një ndikim të madh rreth 40 vite më parë në futbollin ndërkombëtar, la përshtypje të mirë gjatë Euro 2008. Gus Hidink udhëheq rusët drejt turneut final, duke luajtur një futboll të bukur. Pas dy mungesave në Botërorët 1994 e 2002, që nga shpërbërja e ish-BS-së, trajneri holandez ka ndërtuar një Rusi solide. Franca e Portugalia janë ekipet që bëjnë diferencën në kualitet në ndeshjet "playoff". Shumë njerëz u habitën se si këto ekipe nuk u kualifikuan dot direkt. Në grupet përkatëse, Franca u rendit pas Serbisë, ndërsa Portugalia pas Danimarkës.