Franca ratifikon “Shqipërinë në NATO”
Franca iu bashkëngjit dje vendeve që kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke firmosur përmes Senatit të saj. Ministria jonë e Jashtme njoftoi dje se Senati Francez përfundoi procesin e ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë përshëndeti ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Senati Francez, duke bërë kështu që Franca të jetë vendi i 20-të anëtar që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Më 29 janar, Asambleja Kombëtare e Republikës së Francës, në unanimitet, ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke i hapur kështu rrugë Senatit Francez për miratimin e këtij protokolli. Në këtë mënyrë Franca shpreh mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë. Shqipëria, me bindjen se do të mund të bëhet
anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut përpara samitit të Strasburg – Kehlit, siguron edhe një herë vendet anëtare për angazhimet e saj në mbështetje të paqes, sigurisë, stabilitetit si dhe për vazhdimin e mëtejshëm të reformave për konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut të lirë.