Topi, ish-të përndjekurve: Detyrim moral trajtimi juaj
Ish-të përndjekurit politikë kërkojnë ndërhyrjen e kryetarit të shtetit, Bamir Topi, për marrjen e dëmshpërblimit të viteve të burgut. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në Pallatin e Brigadave një përfaqësi të ish-të përndjekurve politikë nga Malësia e Madhe, të cilët parashtruan shqetësimet e tyre lidhur me trajtimin dhe me pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore. Ata shprehën shqetësimin për çështjen e dëmshpërblimit, shkollimit e punësimit, por edhe për rehabilitimin dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, si dhe kërkuan vlerësimin e merituar historik të kryengritjes antikomuniste të 23-25 janarit 1945, në Malësinë e Madhe. Kreu i shtetit u bëri të qartë atyre se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje shqetësimet e tyre, të përcjella institucionalisht dhe përmes mediave, pasi sipas tij: "Ky është detyrim jo thjesht i institucionit, por është edhe detyrim moral". "Ju jeni një përfaqësi e nderuar e një zone të nderuar, me një shtresë që ka përballuar shumë sfida të hidhura të jetës, shumë vuajtje", - tha Presidenti, duke nënvizuar se kjo shtresë ka ditur me shumë fisnikëri të jetë mbështetëse e proceseve demokratike në Shqipëri. “Patjetër, - cilësoi z. Topi, - ju jeni tharmi i stimulimit të të gjitha proceseve pozitive që duhet të ketë shoqëria jonë”. Ai u sugjeroi përfaqësuesve të ish-të përndjekurve politikë që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët dhe mundësitë institucionale e demokratike për të nxjerrë në pah problemet e tyre dhe për t’i zgjidhur ato. Z. Topi siguroi përfaqësuesit e ish-të përndjekurve nga Malësia e Madhe se do të vazhdojë t'i mbështesë gjithmonë institucionalisht në cilësinë e Presidentit të Republikës, duke ushtruar të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Topi theksoi nevojën për vlerësim dhe integrim të kësaj shtrese shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare.