E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Rama, korrupsion me buxhetin e Tiranës



PD-ja akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Ramën, për abuzime korruptive me buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Zëdhënësi demokrat, Gerti Bogdani, vuri në dukje se Rama "tashmë ka shtrirë kontrollin edhe në median e radhës, ku duke keqpërdorur buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe lejet e ndërtimit, i ka dhënë kompanisë Edi-Al hyrjen e Tiranës për miliona euro në ndërtime". “Duke u mos mjaftuar me kaq, - tha më tej Bogdani, z. Rama do të ndërtojë së bashku me këtë kompani edhe në bregdetin e Jugut, duke përhapur mungesën e vizionit të tij dhe masakrën urbane të Tiranës edhe më tutje. Sipas tij, tani që studimi i bregdetit të Jugut të Shqipërisë nuk e lejon z. Rama të betonizojë Jugun e Shqipërisë në Jalë dhe Ksamil, me planin mediokër të z. Lame të 2005-s, ai xhindoset dhe thellon keqpërdorimin e mediave". Bogdani pohoi se "këto janë shembuj flagrante të keqpërdorimit të pushtetit të Bashkisë së Tiranës për interesa të ngushta personale, që në fund të ditës përkthehen dhe me cenimin e demokracisë në Shqipëri, duke kontrolluar dhe censuruar mediat e lira". Në përgjigje të interesimit të medias për mosmiratimin e buxhetit të kryeqytetit, zëdhënësi i PD-së tha: "Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë patën mundësi ta ndjekin dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për buxhetin një transmetim live të arrogancës, mendjemadhësisë dhe interesit të ngushtë personal të kryetarit të bashkisë". Bogdani e cilësoi këtë mbledhje "sa komike, aq edhe tragjike, ku kryetari i bashkisë u largua përsëri me buxhet ndër shalë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›