E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca zotohet të mbështesë integrimin e Kosovës

Sejdiu e vlerësoi lart kontributin e dhënë nga ana e popullit francez dhe qeverisë franceze, edhe në procesin para pavarësisë së Kosovës, por edhe pas saj. "Ne, u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kemi pasur nga qytetarët dhe qeveria e Francës. Mbështetja dhe përkrahja juaj, në momentet para pavarësimit të vendit, por edhe pas procesit të pavarësimit, ka qenë edhe mbështetje shpirtërore", theksoi Presidenti Sejdiu. Po ashtu, Presidenti Sejdiu kritikoi Beogradin zyrtar për presionin që po ushtron ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, duke penguar integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, nga ana e tij ambasadori Fitu theksoi se do të angazhohet edhe më tej për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Ai shprehu zotimet e Qeverisë së Francës për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në proceset e mëdha që ka para vetes, si procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Gjithashtu, ambasadori i ri francez në Prishtinë, Zhan Fransua Fitu është pritur edhe nga minister I Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Ministri Hyseni, pas marrjes së një kopje të kredencialeve nga ambasadori i ri francez, falënderoi Francën për përkrahjen dhe ndihmën që i ka dhënë popullit të Kosovës dhe Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit. "Republika franceze është dhe do të mbetet partner strategjik i Republikës së Kosovës, në të gjitha objektivat që Kosova synon t'i arrijë me ndihmën e miqve të saj të shumtë", tha Hyseni.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›