E Shtunë, 31 Tetor 2026

François Hollande betohet si President i Francës

Në Pallatin Elize vazhdon takimi i Hollandes me të ftuarit në ceremoninë e thjeshtë të inaugurimit teksa ish-Presdienti Sarkozi pasi mikpriti Hollanden është larguar nga vendi ku qëndroi për pesë vjet me radhë.

Më vonë Hollande do të emërojë kryeministrin e ri të vendit dhe do të fluturojë për në Berlin ku do të takohet me kancelaren Angela Merkel.

Në fjalimin e tij të parë si President i Francës, Hollande tha se ishte i vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet Franca, përfshirë krizën buxhetore dhe rritjen e dobët ekonomike. “Por, unë pohoj sot se nuk ka fatalizëm. Është një dëshirë e mirë që na bashkon. Ne do të mobilizojmë të gjitha forcat dhe asetet e Francës”.

“Ne jemi një komb i madh. Përgjatë historisë, Franca i ka kaluar të gjitha sfidat me të cilat është përballur”, shtoi Hollande. “Çdo herë populli ka triumfuar duke i qëndruar besnik vetës së tij”.

“Mandati im është që të risjellë Francën tek drejtësia, të hapë një rrugë të re në Evropë dhe të kontribuojë për paqen në botë dhe në ruajtjen e planetit”.

Hollande tha gjithashtu se dëshironte që liderët e tjerë evropianë të nënshkruanin një pakt që “ka të bëjë me uljen e nevojshme të deficitit dhe stimulimin e domosdoshëm të ekonomisë”.

“Kontinenti jonë nuk e ka të domosdoshme të mbrojë vetëm vlerat e tij, por edhe interesat në emër të shkëmbimit tregtar”, shtoi ai.

(09:35) Francois Hollande pritet të betohet si Presidenti i ri i Francës, para se të udhëtojë për në Berlin ku do të diskutojë me kancelaren Merkel për të ardhmen e Evropës.

Pasdreken e sotme, Presidenti i ri i Francës do të përpiqet të gjejë një kompromis me kancelaren Angela Merkel mbi programin e kursimeve të udhëhequr nga Gjermania, në përpjekje për të dalë nga kriza e Eurozonës.

Ndërkohë, rënia e euros dhe e bursave ndërkombëtare vazhdoi edhe të hënën mes shqetësimeve rreth paqendrueshmërisë politike në Greqi. Kreu i Ministrave të Financave të Eurozonës, Jean-Claude Juncker, nguli këmbë të hënën se ata do të bënin gjithçka është e mundur për të mbajtur Greqinë në Eurozonë.

Postet qeveritare

Hollande pritet të betohet për një mandate pesë-vjeçar pas takimit me Presidentin në ikje, Nikolas Sarkozi në Pallatin Elize në qendër të Parisit rreth orës 10:00.

Presidenti i ri i Francës ka kërkuar që dita e inaugurimit të jetë sa më e thjeshtë te jetë e mundur, dhe ka ftuar vetëm pak miq. As Fëmijët e Hollandes nuk do të marrin pjesë në inaugurim.

Dreka e parë e tij si President do të jetë me ish-kryeministrat socialistë Pierre Mauroy, Laurent Fabius, Michel Rocard, Edith Cresson dhe Lionel Jospin.

Detyra e parë e Presidentit të ri do të jetë emërimi i një kryeministër, i cili korrespondentii “BBC”-së thotë se me shumë gjasa do të jetë lideri i grupit parlamentar të socialistëve, Jean-Marc Ayrault, folës i gjermanishtes dhe aleat i ngushtë i Berlinit.

Këshilltari ekonomik i Hollandes, Michel Sapin, pritet të bëhet ministri i ri i Financave.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2012-05-15 11:05
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›