E Diel, 1 Nëntor 2026

Francë, Le Pen thotë se do abstenojë, Hollande më pranë fitores

Share

Liderja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen, tha se ajo do të hedhë një votë të bardhë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale këtë të diel.

Duke folur në një tubim në Paris, ajo tha se nuk do të mbështesë as presidentin Nicolas Sarkozy dhe as kandidatin socialist, Francois Hollande. Sipas BBC, ajo u tha mbështetësve të ndjekin ndërgjegjen e tyre.

Le Pen fitoi 6.5 milion vota- 17.9 përqind- në raundin e parë të votimeve.

Sondazhet më të fundit tregojnë se kandidati socialist, Hollande, është nga gjashtë deri në dhjetë pikë përpara Sarkozy.

Të mërkurën ata të dy do të përballen në një debat televiziv.

Sarkozy sot mban një tubim, që ka irrituar ndjeshëm sindikatat. Presidenti në detyrë thotë se mitingu synon të tregojë forcën e vërtetë punëtore. Por Hollande thotë se Sarkozy është presidenti i papunësisë. Një numër i madh sindikatash e punonjësish kanë dalë në rrugë, në Ditën e Punëtorëve, për të protestuar.

Sarkozy nga ana e tij vijon të shpresojë tek votat e të djathtës së Le Pen për të fituar. Por Le Pen thotë se veprimet e fundit të Sarkozy bien në kontradiktë me atë që ka bërë pesë vite si president. Sipas saj, ai nuk është personi i duhur për të qenë president.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›