E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç paralajmëron dhunë dhe incidente në 6 maj

Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se eksponentë në Kosovë po përgatisin plane për të parandaluar zgjedhjet serbe që do të zhvillohen në Kosovë.

Shërbimet sekrete serbe kanë informata se po përgatiten aksione  për të penguar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili njëherësh është edhe kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, dikur e udhëhequr nga kryekrimineli i luftrave në ish-Jugosllavi, Slobodan Milosevic.

Ish-zëdhënësi i Miloseviçit, Daçiç i cili në vazhdimësi propagandon dhunë ndëretnike, ka thënë se sulmet po i planifikojnë ekstremistët  në Kosovë, të cilët janë anëtarë të lëvizjeve ekstremiste dhe organizatave paramilitare, që sipas tij, gjithnjë qëndrojnë diku në hije, raporton Pravda.

Daçiç  ka thënë se planifikohen sulme fizike nëpër qendra të votimit në Kosovë, marrja e materialeve zgjedhore, si dhe arrestime të personave që marrin pjesë në zgjedhje. Ai ka thënë se këto aksione me siguri nuk mund të bëhen pa dijen e pushtetit të Prishtinës. Sipas tij, kjo edhe ka qenë arsyeja pse KFOR-i ka shtuar praninë e vet në Kosovë.

Autoritetet e Republikës së Kosovës e kanë bërë të qartë se serbët kosovarë që kanë dyshtetësi mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të organizuara nga OSBE-ja. Po ashtu kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës (jo grupe ekstremiste siç thotë Dacici), do të pengojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe.

Serbia ka hequr dorë publikisht nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat njëherë kishte thënë se do ti organizojë të paktën në tri komunat veriore të Kosovës, por strukturat paralele të saj vazhdojnë të pohojnë se do të mbahen edhe këto palë zgjedhje. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›