Francë, gjendet i vdekur poeti Ali Podrimja

Pas 3 ditësh misteri është gjendur pa jetë në Francë poeti i njohur shqiptar Ali Podrimja. Një prej korifejve të letrave shqipe është ndarë nga jeta ndërsa ishte një nga pretendentët kryesorë për të marrë çmimin e festivalit të poezisë në Francë.
Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, Ali Podrimja, në Francë.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.
“Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.
Poeti Podrimja ka humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodeve. Ndërkohë autoritet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së poetit Ali Podrimja.
Kush është Ali Podrimja
Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme Rilindja, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në Edicionin e Botimeve “Rilindja”, ku drejton bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave.
Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i PEN-it shqiptar, ai në vitin 1996 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i saj.
Me shkrime filloi të merret që në shkollën e mesme. Poezinë e parë e kishte botuar në revistën “Jeta e re” në vitin 1957.
Autor i shumë librave me poezi, ai çmohej si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Përveç poezisë, ai njihej edhe për shkrimin e eseve dhe tregimeve që e kishin bërë fitues të shumë shpërblimeve të ndryshme letrare.