Francë, protesta kundër dënimit me vdekje të gruas iraniane
Disa dhjetra demonstrues u mblodhën të shtunën pranë kullës Eiffel në Paris për të mbështetur një grua iraniane të dënuar me vdekje me gurë. Protesta u organizua nga një grup feminist francez për të treguar mbështetjen për gruan 43-vjeçare Sakineh Mohamadi-Ashtiani, e cila është nënë e dy fëmijëve. Dënimi me vdekje për gruan iraniane ka ngritur një zemërim ndërkombëtar. I pranishëm në protestë ishte edhe novelisti francez Marek Halter. "Për mua gruaja përfaqëson termometrin e njerëzimit. Ne mund t'i themi të gjithë krerëve të botës pa u gabuar, na tregoni se si i trajtoni gratë në vendin tuaj, dhe ne do t'ju themi se kush jeni," tha Halter. Protestuesit mbanin në duar parulla kundër dënimit me vdekje "Feminizmi nuk vret njeri, por është maskilizmi ai që vret çdo ditë". "Duhet t'i themi jo vrasjes me gurë për Sakineh. Edhe pse Irani ka bërë të ditur se dënimi me vdekje është pezulluar, kjo nuk është e mjaftueshme. është e nevojshme që siç tha presidenti parizien, që Franca të jetë përgjegjëse për Sakineh dhe lirimin e saj", deklaroi presidenti i shoqatës së grave që organizuan protestën. "Kam ardhur të protestoj sepse e konsideroj të tmerrshëm këtë dënim, dhe nuk e di si vazhdon të ekzistojë edhe sot", tha protestuesja Marie Line.