Kosovë/ Novobërdë, 6 të plagosur nga shpërthimi
Në shpërthimin që ka ndodhur të shtunën mbrëma në fshatin Bostan të Novobërdës, janë plagosur gjashtë persona, nga të cilët njëri është në gjendje më të rëndë, ndërsa të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë.
Njoftohet se të plagosurit janë dërguar në spitalin e Graçanicës, ndërsa njëri prej tyre i është nënshtruar operacionit dhe thuhet se gjendja e tij është e qendrueshme.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 22:00 në një objekt të improvizuar gjatë një feste në qendër të fshatit, ku jetojnë familje serbe dhe rome.
Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës, Ismet Hashani, ka thënë se policia është në kërkim të një serbi, i cili dyshohet se ka aktivizuar një granatë dore. Bëhet e ditur se KFOR-i që kishte dalë në vendngjarje së bashku me PK-në ka gjetur edhe një granatë, e cila nuk kishte shpërthyer.