Francë, protesta masive për krizën

Një manifestim i madh është organizuar në kryeqytetin francez Paris, që shënoi pikën kulminante të ditës së grevës dhe protestave, që janë organizuar nga sindikatat franceze. Mijëra persona morën pjesë në manifestim dhe hodhën sllogane që kishin të bënin me krizën ekonomike, mbrojtjen e shërbimeve publike dhe me kërkesa të tjera, si mbrojtjen e sektorit të shëndetësisë, etj. Sipas sekretarit të përgjithshëm të sindikatës CFDT Fransua Sherek, këto manifestime të punëtorëve janë më të mëdhatë që prej rreth 20 vjetësh. "Është një ngjarje shoqërore e një rëndësie të madhe, jo një shprehje kalimtare e zemërimit. Ajo do të pasohet edhe nga protesta të tjera", deklaroi Bernard Tibo, sekretar i përgjithshëm i sindikatës CGT, që është më e madhja në vend. Ndërkohë që edhe në qytetet më të mëdha të vendit u zhvilluan manifestime, përpara atij të Parisit. Rreth 30 000 persona u mblodhën në Lion dhe mijëra të tjerë në Marsejë. Sindikatat, që bënin thirrje për mbrojtjen e punonjësve, të mundësisë së blerjes dhe të shërbimeve publike, ishin shprehur se prisnin një mobilizim të paprecedent të punonjësve që prej zgjedhjes së Nikolas Sarkozi President në vitin 2007. Të mbështetur nga opozita socialiste, ata parashikojnë t'i dërgojnë një paralajmërim kreut të shtetit lidhur me politikën e tij përballë krizës ekonomike dhe financiare. Me grevistët janë bashkuar rreth një e katërta e funksionarëve shtetërorë, gjysma e të cilëve arsimtarë. Ndërkohë, transporti publik në vend pati pengesa, por nuk u paralizua plotësisht sipas parashikimeve.