OKB, 613 milionë dollarë ndihma për Gazën

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun ka lajmëruar për një fond prej 613 milionë dollarësh në ndihmë të viktimave të dhunës në Gaza, teksa armëpushimi i arritur vazhdon të jetë i kërcënuar. "Popullsia e Gazas po vuan për shkak të ndihmave të pakta të këtyre muajve të fundit. Prandaj unë bëj thirrje për një ndihmë humanitare speciale, që është shumë e rëndësishme. Me ndihmën e këtyre 613 milionë dollarëve, Kombet e Bashkuara dhë agjencitë e tjera humanitare do të veprojnë në ndihmë të 1.4 milionë civilëve në Rripin e Gazës, që të marrin veten pas konfliktit më të fundit" u shpreh Ban Ki Mun për gazetarët në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës. Sipas Ministrisë së Hamasit për shëndetin në Rripin e Gazës , të paktën 1 300 palestinezë, përfshirë këtu rreth 700 civilë, mbetën të vrarë gjatë ofensivës 22 ditore të Izraelit. Komisionerja e punëve të jashtme të BE-së Benita Ferrero-Valdner tha se kishte besim të plotë në aftësitë e të dërguarit të Presidentit amerikan Barak Obama, Xhorxh Miçëll. Miçëll është takuar me Presidentin palestinez Mahmud Abas në Bregun Perëndimor, pas bisedimeve të ditës së mërkurë me liderët izraelitë dhe atyre egjiptianë, të cilët janë përpjekur për një paqe të qëndrueshme në rajon. Benita Ferrero-Valdner mendon se Miçëll ishte njeriu i duhur për zgjidhjen e konfliktit. "Mendoj se emërimi i Xhorxh Miçëll është veprimi i duhur që në Lindjen e Meme të arrihet një armëpushim dhe një paqe e qëndrueshme", tha Ferrero-Valdner. Ndërkohë, po nga Davosi, lideri i opozitës izraelite Benjamin Netanjahu theksoi se Izraeli nuk do të lejonte që banorët e tij të jetonin nën rrezikun e sulmeve nga ana e Hamasit.