E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francezët vendosin për fatin e Sarkozysë

Franca nesër zhvillon rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në prag të së cilave në anketa kandidati i Partisë Socialiste, Francois Hollande kishte një epërsi ndaj presidentit në detyrë, Nicolas Sarkozy.

Hollande, një figurë publike e rëndomtë dhe Sarkozy, një kandidat impulsiv, janë favoritë nga 10 kandidatët. Asnjëri nuk pritet që të marrë 50 për qind të votave të nevojshme të dielën, por sondazhet flasin se Hollande mund të fitojë në balotazh me Sarkozinë, më 6 maj.

Analistët politikë dhe financiarë thonë se një fitore e Hollandit do të kishte implikime përtej Francës, sepse do të sillte fundin e të ashtuquajturës aleancës “Merkozy”, në mes të Sarkozysë dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, që kanë udhëhequr politikën evropiane në vitet e fundit.

Mosmarrëveshjet potenciale mbi politikat në mes të dy ekonomive më të mëdha mund të kenë një ndikim të madh në stabilitetin e monedhës së përbashkët euro, në një kohë të brishtë për kontinentin.

Dallimi thelbësor në mes të Hollandit dhe Merkelit është te mënyra e funksionimit të Bankës Qendrore Evropiane. Holland dëshiron rregulla të reja që do ta bënin bankën një huadhënës të fundit të qeverive të ngarkuara me borxhe.

Në të vërtetë, ky ka qenë një qëllim i politikës franceze për Bankën Qendrore Evropiane që nga vitet e 90-ta.

Në javën e fundit të fushatës, Sarkozy theksoi nevojën që Franca të ulë deficitin dhe borxhin e saj. Ai ka kritikuar premtimin zgjedhor të Hollandit për të punësuar 64 mijë mësues.

Hollande, që refuzon masa tjera shtrënguese financiare, dëshiron të rrisë tatimet për të pasurit dhe për kompanitë. Ai ka pranuar se kriza evropiane e borxheve nuk ka mbaruar. Por, ai thotë se Sarkozy po përpiqet që të krijojë një profeci vetë-përmbushëse, duke ushqyer frikën e tregjeve.

“Kriza e euros nuk ka mbaruar, keni të drejtë ta thoni këtë. Por, Franca sot nuk i është ekspozuar kësaj krize. Mos t’i bëjmë njerëzit që të besojnë se mund të preken, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ushqyer këto parashikime”, tha Hollande.

Kandidatët tjerë përfaqësojnë një spektër të gjerë politik. Në krahun e majtë ekstrem është Jean Luck Melenschon, një ish-ministër i kabinetit socialist, që e la partinë për të formuar koalicionin e tij, Fronti i Majtë.

Në krahun tjetër të spektrit politik është Marinë Le Pen e Fronit Kombëtar. Ajo është e bija më e re e Jean Mari Le Pen, themeluesit të partisë së krahut të djathtë. Me thirrjet për rregulla më të ashpra të emigracionit, motoja e fushatës së saj është bërë frikë për islamizim.

Sondazhet tregojnë se Le Pen dhe Melencshon ndajnë rreth 30 për qind të votave.

Në mes të Frontit Kombëtar të Le Penit dhe Frontit të Majtë të Melenschonit, është qendra e majtë e Francoa Bayrou. Pesë vjet më parë, në raundin e parë presidencial, ai pat fituar pothuaj një të pestën e votave.

Analistët theksojnë se Melenschon, Le Pen dhe Bayrou nuk kanë gjasa që të shkojnë në rrethinj e dytë. Por, ka të tillë që thonë se ata që votojnë për këta tre politikanë do të luajnë rol thelbësor në përcaktimin e fituesit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›