Xavi, “kanceri” i Barcelonës

Mesfushori i Barcelonës, Xavi ka bërë kritika të ashpra ndaj ish trajnerit Frank Rijkaard duke thënë se ishte ndjerë si “kancer” në klub nën drejtimin pesëvjeçar të strategut holandez.
Xavi, 32 vjeç, konsiderohet si një prej organizatorëve më të mirë të lojës në botë, por thekson se Rijkaard nuk e vlerësoi talentin e tij.
“Rijkaard nuk më besonte. Ai deshi që loja jonë të bazohej në nivelin fizik. Ai besonte se kjo ishte mënyra e vetme për të qenë njëri prej klubeve më të mira në Evropë. Katër ose pesë vite më parë, unë isha i padobishëm. Isha kanceri i Barcelonës. Me 170 centimetra, ishte thjesht e pamundur”, deklaroi Xavi për të përditshmen franceze L’Equipe.
Barcelona fitoi një herë Ligën e Kampionëve dhe dy tituj në La Liga nën drejtimin e Rijkaardit por suksesi u shtua edhe më tepër pas ardhjes së Pep Guardiolës.