Franco Frattini merr titullin Qytetar Nderi i Tiranës
Lulzim Basha, në emër të Bashkisë së Tiranës, nderoi dje me titullin Qytetar Nderi ish-ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Fratini, në një ceremoni të organizuar në Pallatin e Brigadave. Motivacioni me të cilin jepet titulli i lartë është:
Për kontributin e tij të çmuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Çelësi i Tiranës iu dorëzua diplomatit italian nga Kryeministri Sali Berisha. Jemi sot këtu për të shprehur nderimin më të madh, mirënjohjen e thellë, respektin e palëkundur ndaj njërit prej personaliteteve më të shquar të skenës politike europiane dhe ndaj mikut më të shquar të shqiptarëve. Unë jam i vetëdijshëm për mbështetjen tuaj, rolin e jashtëzakonshëm në ndihmën për Shqipërinë në procesin e integrimit, por edhe në heqjen e vizave në veçanti, tha Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, diplomati italian premtoi se do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë. Tani duhet të vijojmë rrugën, që Shqipërisë ti jepet statusi i vendit kandidat në BE. Shpreh gjithë angazhimin tim personal, që ky rezultat të ndodhë shpejt. Vlerësoj përpjekjet e bëra deri tani nga qeveria sa i përket plotësimit të rekomandimeve. Mendoj se pika kyçe është reforma elektorale dhe uroj të zgjidhet shpejt. Jam në dijeni të përpjekjeve të Berishës sa i përket heqjes së imunitetit, do jetë shenjë treguese për BE, tha gjatë fjalës së tij Frattini, duke nënvizuar se Shqipëria do mbetet në zemrën time gjithmonë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e cilësoi diplomatin italian si njeriun që ka fituar çelësin e zemrave të shqiptarëve. Sot është një ditë shumë e veçantë për qytetin tonë. Personaliteti që nderohet sot, nuk merr çelësin e qytetit, se çelësat e zemrave të shqiptarëve i ka marrë prej kohësh. Vendosmëria, lidershipi dhe pasioni i tij kanë qenë të prekshme si pak akte të tjera, pikërisht për këto arsye ne kemi nderin e veçantë të paraqesim në këtë ceremoni titullin e lartë për të, tha Basha.
Reformat në Shqipëri
Unë i vlerësoj shumë të gjitha përpjekjet që qeveria shqiptare po bën për të realizuar ato kërkesa që janë parashtruar nga Europa dhe ndër to edhe reforma elektorale, jashtëzakonisht e rëndësishme, por jam në dijeni edhe të faktit se sa të rëndësishme e konsideron Kryeministri Berisha heqjen e imuniteteve. Do të ishte një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme sa i përket transparencës dhe që do të shënonte një hap të madh përpara dhe do i jepte sipas mendimit tim Shqipërisë atë njohje që meriton edhe në sytë e Brukselit dhe të Europës, ndaj ne e mbështesim fort këtë proces politik dhe shpresojmë që përpjekjet e qeverisë të dëgjohen nga të gjitha forcat politike që janë në Parlamentin shqiptar,
u shpreh Franco Fratini.