Franko Fratini, “Qytetar Nderi” i Tiranës

Bashkia e kryeqytetit ka nderuar ish-kryediplomatin italian dhe mikun e madh të shqiptarëve Franko Fratini, me titullin më të lartë, atë të Qytetarit të Nderit. I emocionuar, diplomati Fratini deklaroi se s’do të reshtte së kontribuar për të shpejtuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian
Berisha: “Fratini, mik dhe avokat i çmuar me kontribut historik në arritjet e shqiptarëve”
Basha: “Lidershipit dhe pasioni i Fratinit rrjedh natyrshëm në gjurmët e etërve të Bashkimit Evropian”
Bashkia e Tiranës nderoi dje me titullin “Qytetar Nderi” ish-ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, për kontributin e tij të çmuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e Pallatit të Brigadave, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vlerësoi figurën e Franco Frattinit dhe kontributin e tij për proceset integruese të vendit.
“Sot është një ditë shumë e veçantë për qytetin tonë. Për dekada me radhë qyteti ka vendosur të nderojë njerëz të veçantë dhe të shquar për kontributet e tyre për këtë qytet dhe vendin tonë. Por mund të themi se dita e sotme është nga më të veçantat, sepse personaliteti që nderohet sot me titullin më të lartë që qyteti mund të japë i ka pasur prej kohësh çelësat e zemrave të shqiptarëve. Zemrat e shqiptarëve nuk kanë pasur derë për të”, tha Basha gjatë kësaj ceremonie.
Ai vlerësoi kontributin e Franco Frattinit, pasionin e këtij italiani dhe europiani të madh dhe lidershipit të tij në raport me proceset europiane dhe vendet europiane akoma jashtë Unionit. “Vendosmëria e lidershipit dhe pasioni i Franco Frattinit rrjedh natyrshëm në gjurmët e etërve të Bashkimit Evropian, por për qytetarët shqiptar domethënia e këtij pasioni ka qenë i prekshëm si impakt. Për këtë arsye qyteti i Tiranës, Këshilli Bashkiak dhe unë si Kryetar i Bashkisë kemi nderin e veçantë të paraqesim në këtë ceremoni solemne titullin e lartë të ‘Qytetarit të nderit’ për zotin Franco Frattini”, tha Basha, ndërsa ftoi Kryeministrin Sali Berisha që t’i dorëzojë Frattinit Çelësin e Tiranës.
Nga ana e tij Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi Franco Frattinin si një ndër miqtë më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve që kontribuoi në procesin e integrimit europian si dhe në heqjen e vizave.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha e cilësoi si një nga personalitetet më të shquara të skenës politike italiane dhe europiane, si dhe njërin ndër miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve.
“Me respektin dhe përkushtimin ndaj vendit dhe kombit tonë, Frattini ka dhënë një kontribut historik në arritjet e tyre, theksoi Berisha, duke shtuar se, Frattini ishte edhe një ndër avokatët me të mëdhenj në Komisionin Europian”.
Duke vlerësuar Frattinin për garancinë që dha pranë institucioneve europiane në procesin e heqjes së vizave, Berisha tha se, “ne ju nderojmë sot, pasi kemi dëshmuar se garancitë tuaja dhe besimi juaj janë justifikuar plotësisht”.
Sipas kreut të qeverisë, si një ndër vendet që përfituan heqjen e vizave, shqiptarët paraqitën problematikën më të pakët.
Berisha i cilësoi si të shkëlqyera edhe marrëdhëniet bilaterale me Italinë.
“U garantoj se mbetemi të privilegjuar dhe thellësisht të angazhuar të punojmë së bashkë për një të ardhme më të mirë midis dy vendeve tona”, tha Kryeministri Berisha.
Pas marrjes së këtij titulli, ish-ministri Frattini shprehu kënaqësinë e tij për prezencën në Tiranë, por dhe vlerësimin që iu dha nga metropoli shqiptar.
“Prezenca në Tiranë më jep gëzim dhe më duket shumë e bukur. Dua të theksoj se dekorimi është një nder që më bëhet nga Shqipëria”, u shpreh Frattini.
Por duke iu referuar pikërisht arsyeve për të cilat ai u dekorua, Frattini rikonfirmoi se liberalizimi i vizave është i merituar. Njëkohësisht, ai garantoi mbështetjen e tij dhe të Italisë në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së.
Nga ana tjetër, ndalur në reformat që duhet të realizojë politika shqiptare, Frattini vlerësoi nismën për heqjen e imunitetit, si dhe ritheksoi domosdoshmërinë për përfundimin në kohë të reformës zgjedhore, si pjesë e rëndësishme e proceseve integruese.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, personalitete të jetës politike etj.
Franco Frattini ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm të Italisë gjatë viteve 2002-2004 dhe 2008-2011, si dhe atë të Komisionerit Europian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë (2004-2008). Ai ka vizituar disa herë vendin tonë dhe është shprehur qartë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe është ndër mbështetësit kryesorë të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.