“Beteja më e rëndësishme mbetet thithja e investimeve të huaja”
Mblidhet Bordi i Agjencisë për Investime dhe Zhvillim (AIDA)
Kryeministri Berisha thirri dje takimin e Bordit të Agjencisë për Investime dhe Zhvillim (AIDA), për të bërë një paraqitje të punës së Agjencisë për tërheqjen e investimeve të huaja.
Bordi i AIDA-s diskutoi mbi planin e marketingut dhe aktiviteteve të Agjencisë, duke bërë një analizë të detajuar të sektorëve që duhet të promovohen, duke parë trendet e investimeve të huaja direkte. Plan, i cili do të mbështetet edhe nga fushata publicitare.
Bordi shqyrtoi edhe rregulloren për fondin e inovacionit. Fondi prej 400 milionë lekë, i miratuar nga qeveria shqiptare, synon të mbështet me një skemë granti kompanitë shqiptare për zbatimin e hallkës së parë të strategjisë së inovacionit për ndërmarrjet e vogla e të mesme, që është auditimi i nevojave për përmirësimin e teknologjisë, të proceseve dhe sistemeve që ata zbatojnë.
Bordi miratoi edhe propozimet për emërimin e Drejtorit të Departamentit të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme dhe Eksporteve dhe Drejtorin e Departamentit të Marketingut dhe Operacioneve.
Në hapje të takimit dhe në prani të medias, Kryeministri Berisha bëri të njohur dy raportet e fundit për zhvillimet ekonomike dhe investimet në Shqipëri: raportin e UNCTAD dhe të Komisionit Europian. Duke iu referuar të dhënave të raportit të UNCTAD-it, konstatohet se investimet e huaja direkte në Shqipëri, në tremujorin e parë të viti 2012 u rritën 2 herë, krahasuar me tremujorin e parë të viti 2011. UNCTAD konstaton se investimet e huaja në Shqipëri, vitin e kaluar kanë qenë 1 miliardë e 30 milionë dollarë. Kryeministri theksoi se synimi është rritja e investimeve të huaja në 2 miliardë dollarë.
“Nuk ka betejë më të rëndësishme sot, se beteja për thithjen e investimeve të huaja.”
Lajme pozitive për ekonominë shqiptare vijnë edhe nga raporti i Komisionit Europian. Në raportin e KE-së, theksoi Kryeministri, ndërsa jepet lajmi i hidhur se ekonomitë në Ballkan janë në recesion, konstatohet se ekonomia në Shqipëri e Kosovë ka ngadalësim, por nuk ka recesion.
Raporti UNCTAD konstaton gjithashtu se niveli i papunësisë në Shqipëri pati tendenca të lehta uljeje dhe se rritja e investimeve në Shqipëri është shoqëruar me rritje punësimi nga viti në vit dhe ulje të papunësisë. Një rezultat ky, theksoi Kryeministri, që konstatohet edhe në raportin e Komisionit Europian, i cili njofton se kushtet e tregut të punës [në Ballkan] u përkeqësuan në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, me përjashtim të Shqipërisë, ku tregu i punës e punësimi janë stabilizuar, ndërsa në vendet e tjera, rritja e punësimit mbetet negative.
Duke theksuar faktin se të dhënat e raporteve të mësipërme korrespondojnë me të dhënat e institucioneve shqiptare, Kryeministri Berisha i konsideroi si një përgjigje ndaj “grupeve hiperksenike që kanë tendencë të nxijnë çdo të dhënë nga vendi.”.
Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha theksoi rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimit si përgjigja më e mirë ndaj krizës ekonomike dhe financiare në Europë e më gjerë. Ndaj Kryeministri kërkoi që të bëhet gjithçka për të mbështetur e nxitur rritjen e punësimit dhe rritjen ekonomike. Në këtë linjë edhe ministri i Financave Ridvan Bode listoi energjinë si sektorin prioritar ku duhet të tentohet thithja e investimeve.