E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria mbështet zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, ka zhvilluar dje një takim zyrtar në Tiranë ku është takuar me Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ahmeti ka shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin për ngjarjen tragjike të Gërdecit dhe ka informuar se shumë komuna në Maqedoni do të ndihmojnë Bashkinë e Vorës. Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, kreu i PDI-së ka diskutuar mbi zhvillimet në rajon dhe në Maqedoni. Ahmeti e njohu Kryeministrin me zhvillimet politike në Maqedoni, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e vendit në NATO, në prag të Samitit të Bukureshtit. Kryeministri përshëndeti qëndrimin e forcave politike shqiptare në Maqedoni për qëndrimet e tyre në interes të integrimit të vendit në NATO. Gjithashtu, Berisha siguroi se qeveria shqiptare mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në dobi të paqes dhe stabilitetit. "Tani ndodhemi në prag të një ngjarjeje jashtëzakonisht historike për ne si Maqedoni, por edhe Shqipërinë. Të dyja vendet presim ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit , për të cilën kemi punuar në vazhdimësi. Gjithashtu, ne do të punojmë edhe në të ardhmen që në këtë samit të bëhemi anëtarë të NATO-s. Ne kemi bërë punë jashtëzakonisht të mirë, konstruktive dhe këtë angazhim maksimal do ta japim deri në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë", tha Ahmeti. Kreu i BDI-së bëri me dije se do t‘i kërkohet Maqedonisë zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe probleme të tjera që BDI-ja i ka afirmuar edhe në marrëveshje me Kryeministrin e Maqedonisë dhe partitë në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›