Fratini: Berisha mbajti premtimin për reformat evropiane të Shqipërisë
Kryeministri Berisha i mbajti premtimet e dhëna Evropës, tha dje shefi i diplomacisë evropiane, Franko Fratini, dhe kjo i hap rrugën arritjes së atyre rezultateve që do të jenë të prekshme e të dukshme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Hapi i parë vlerësuar i Brukselit, do të jetë liberalizimi i vizave, që në fillim të vitit 2009, sapo të nisë shpërndarja e pasaportave biometrike.
Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini ka vlerësuar dje Kryeministrin shqiptar Sali Berisha, si një person sipas tij, që ka mbajtur tashmë premtimet e dhëna Evropës, duke garantuar në këtë mënyrë ecjen me sukses të Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe anëtarësimit të plotë në NATO.
Këtë vlerësim të tij Frattini i bëri gjatë takimit dje me Kryeministrin.
Gjatë këtij takimi, dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Italisë, si dhe mundësitë gjithnjë në rritje të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Duke pohuar se rruga drejt BE-së varet nga reformat dhe rezultatet që Shqipëria do të arrijë, Ministri Frattini siguroi se në këtë rrugë Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Italisë.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Frattini dhe nëpërmjet tij qeverisë italiane dhe popullit mik italian mirënjohjen më të thellë për bujarinë, solidaritetin dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i japin Shqipërisë, në ndërtimin e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe përparimit në proceset integruese.
Në fushën e bashkëpunimit ekonomik, Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare nuk do të reshtë përpjekjet për ta bërë Shqipërinë vendin me mundësitë më të mira për tërheqjen e investimeve të huaja, duke rritur kështu interesin e investitorëve italianë për të shtuar investimet në vendin tonë.
Kryeministri Berisha
Pas takimit, në prononcimin para gazetarëve, Kryeministri shqiptar Sali Berisha, e cilësoi takimin një rast të shkëlqyer për ti shprehur Frtatinit, qeverisë italiane dhe popullit mik italian, mirënjohjen më të thellë dhe të shqiptarëve, për bujarinë, solidaritetin, ndihmën e jashtëzakonshme që i japin Shqipërisë, në ndërtimin e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe integrimin në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
“Shqiptarët kanë pasur dhe kanë te Ministri i Jashtëm Frattini një avokat të shkëlqyer, të përpjekjeve të tyre për integrim evropian dhe atlantik. Në memorien e tyre janë të freskëta mesazhet e mëdha që zoti Frattini solli si nënpresident i Komisionit Evropian, kontributin e tij, respektin dhe dashurinë ndaj shqiptarëve, gjatë periudhës që drejtonte Ministrinë e Jashtme, si dhe gjatë detyrave të tjera të rëndësishme në qeverinë italiane”, u shpreh më tej Kryeministri Berisha.
Para gazetarëve, Kryeministri Berisha zbuloi më tej, përmbajtjen e bisedës që kishte bërë me ministrin e Jashtëm të Italisë, ku një vend të rëndësishëm kishte zënë edhe bilanci ia rritjeve të qeverisë që ai kryeson.
“Ne sot bëmë një shqyrtim të hollësishëm të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve. Ajo çka më jep kënaqësi mua sot është se mikut tim Franco Frattini unë i paraqes bilancin e një Shqipërie tjetër. Do ta filloj me një demonstrim të përpjekjeve tona për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. E bëj këtë sepse Ministri i Jashtëm Frattini, si një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve solli këtu disa muaj më parë mesazhin e hapjes së negociatave për liberalizmin e vizave. I premtova zotit Frattini se Shqipëria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të pasur dokumentet më të shkëlqyera të identitetit, kontrollin më të mirë të kufijve, për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin për liberalizmin e vizave. Me ministrin e Jashtëm Frattini ne diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin ekonomik dhe të të gjitha fushave midis dy vendeve. Me Ministrin e Jashtëm Frattini diskutuam për korridorin 8, një vepër madhore që do të transformojë jugun e Ballkanit. Vendet tona presin me kënaqësi të shohin Italianë, lokomotivë, të këtij projekti të madh”, u shpreh Berisha.
Ministri Frattini
Ministri i jashtëm i Italisë, Franco Frattini, pasi shprehu dhe rikonfirmoi gatishmërinë e qeverisë italiane për atë që “Italia do të vazhdojë të mbështesë me bindje dhe me një energji akoma dhe më të madhe rrugën e integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë”, i bëri një vlerësim figurës së Kryeministrit të Shqipërisë. Sipas Frattinit, mbajtja e fjalës nga Kryeministri Berisha, i hap rrugën integrimit ët Shqipërisë në BE, ndërsa u shpreh i sigurt se vitin e ardhshëm, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s.
“Kryeministri Berisha i mbajti premtimet e dhëna Evropës. Dhe kjo i hap rrugën arritjes së atyre rezultateve që do të jenë të prekshme, të dukshme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Duke filluar me një regjim të liberalizuar të vizave, tani me prodhimin dhe më pas me shpërndarjen e pasaportave biometrike, do të jetë një proces që i afrohet përfundimit dhe plotësimit të tij. Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota të NATO-s dhe kjo hap me siguri një perspektivë të re, për stabilizimin dhe sigurinë e tërë rajonit. Natyrisht, rruga drejt BE-së varet nga reformat dhe rezultatet që Shqipëria do të dijë të arrijë, por është një rrugë ku Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Italisë”, ripërsërit Ministri Frattini, mbështetjen e Italisë, e cila nuk do ti mungojë Shqipërisë.
Duke i vlerësuar më tej si të shkëlqyera marrëdhëniet në planin dypalësh, në të gjitha fushat, “sigurisht rezultatet që Shqipëria do të arrijë, do të inkurajojnë edhe më tej, një numër gjithmonë në rritje, të sipërmarrësve italianë, të cilët do të investojnë në Shqipëri”, u shpreh Frattini.
Më tej Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini, ka bërë ët ditur sektorët që sipas tij në kuadrin e një marrëveshje ët re, do t’i bëjnë edhe më të rëndësishëm ata. Sipas Frattinit, këta sektorë, sikurse janë bujqësia dhe infrastruktura, veçanërisht Korridori 8, do të jenë edhe më prioritarë në marrëdhëniet dypalëshe.
“Sigurisht kemi një interes të madh për mundësitë që Shqipëria na ofron për prodhimin e energjisë elektrike për të cilën Italia ka shumë nevojë. Mendojmë se një bashkëpunim më i ngushtë edhe në sektorin e turizmit do të ishte një mundësi e mëtejshme për investitorët italianë që të mund të vlerësojnë dhe te shfrytëzojnë këto mundësi për investimet e tyre në Shqipëri. Në përfundim do të thoja se është një marrëdhënie speciale midis vendit tim dhe vendit tuaj, një marrëdhënie speciale që natyrisht do të pasurohet më tej në të ardhmen”, përfundoi Frattini, duke zbuluar edhe interesat e Italisë në këtë bashkëpunim.
Nënshkruhen pesë marrëveshje dhe kontrata të përbashkëta
Gjatë vizitës së djeshme të Ministrit të Jashtëm të Italisë Franco Frattini në Shqipëri u nënshkruan disa marrëveshje dhe kontrata të përbashkëta, në fushën e bashkëpunimit ekonomik.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast u nënshkruan nga përfaqësues të qeverive të të dy vendeve këto marrëveshje dhe kontrata:
* Marrëveshja midis Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në lidhje me konvertimin e lejeve të drejtimit.
* Kontrata për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik “Tirana 2”, mbi bazën e një financimi nga Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane.
* Dorëzimi i pjesës së parë prej 5 milionë euro të një financimi të Kooperacionit për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane për programin mbështetës te bizneseve të mesme dhe të vogla shqiptare.
* Kontrata e koncesionit për parkun industrial të Koplikut.
* Deklarata e shprehjes së interesit për realizimin e nyjës energjetike në Lezhë, të aktiviteteve dhe veprave ndihmëse përkatëse.
...