Frattini: Liberalizimi i vizave brenda vitit 2009, Shqipëria po bën progres çdo ditë
“Ne do të shpiem para Këshillit të Ministrave të Italisë për miratim dhe brenda pak javësh do të kemi miratimin ministror dhe ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Parlamenti italian do ta ratifikojë atë shumë shpejt. Qysh në fillim ne kemi mbështetur rëndësinë e një integrimi atlantik me qëllim që Shqipëria të nisë të bëhet, së bashku me ne, prodhuese e sigurisë në këtë rajon”
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha i shprehu dje homologut të tij italian Franco Frattini, mirënjohjen për rolin që ai personalisht ka luajtur për afrimin e Shqipërisë me BE-në gjatë kohës kur kishte detyrën e Zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian në Bruksel.
Duke u ndalur në marrëdhëniet mes dy vendeve, Basha dhe Frattini i vlerësuan ato si të shkëlqyera. Ministri i Jashtëm Basha përmendi këtu faktin që edhe në statistikat e fundit, Italia qëndron e para për nivelin e shkëmbimit ekonomik me Shqipërinë.
Nga ana tjetër, Basha shprehu vlerësimin për mbështetjen e jashtëzakonshme politike që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Ministri Basha i bëri homologut italian një prezantim të arritjeve të Shqipërisë në fushat kryesore, si lufta ndaj korrupsionit, krimit e trafiqeve si dhe për klimën e mirë të krijuar ndaj biznesit, duke përmendur këtu edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare që konfirmojnë rezultatet.
Nga ana e tij Frattini tha se i vlerëson progreset e Shqipërisë, që sipas tij po ndodhin çdo ditë. Ai nënvizoi në veçanti luftën ndaj krimit dhe trafiqeve dhe reformat e tjera, duke u shprehur optimist se këto arritje do të bëjnë të mundur liberalizimin e vizave mes BE-së dhe Shqipërisë brenda vitit 2009.
“Liberalizimi i vizave është një interes i përbashkët”, u shpreh Ministri i Jashtëm i Italisë.
Ministri Basha
Ministri Basha, i shprehu homologut italian pas takimit, në një prononcim për mediat, falënderimet për atë që ai personalisht ka bërë për liberalizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë.
“Zoti Frattini! Figura dhe dimensioni juaj gëzojnë atribute të veçanta jo vetëm tek politika shqiptare por dhe tek populli shqiptar si një ministër i Jashtëm i një vendi mik dhe si një personalitet evropian i cili midis nismave të tjera, simbolizon dhe ate shumë të rëndësishmen për liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt hapësirës evropiane dhe për hapjen e dialogut në mars të këtij viti në pozicionin tuaj si Zëvendëspresident i Komisionit Evropian”, u shpreh Basha.
Më tej ministri shqiptar i Jashtëm, ka bërë të ditur axhendën e bisedimeve me homologun italian, ku një vend të rëndësishëm, kishte zënë diskutimi për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, arsimor, kulturor, në infrastrukturë, në turizëm, si dhe në fusha të tjera.
Për Bashën, temë e rëndësishme diskutimi ishte edhe integrimi i Shqipërisë në strukturat euro-atlantike, si dhe plotësimi i kushteve nga ana e qeverisë shqiptare.
“Ne folëm për integrimin evropian ku dëshiroj të theksoj edhe një herë vlerësimin tonë për Italinë si mbështetëse e fuqishme e aspiratës dhe objektivit të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në BE. Me këtë rast, e informova ministrin Frattini për rezultatet e kësaj periudhe duke iu referuar në veçanti reformave ekonomike, ligjore dhe politike dhe vlerësimeve tashmë të bëra edhe nga organizata ndërkombëtare të tjera si Banka Botërore, raporti mbi klimën e biznesit në Shqipëri apo edhe TI, për reformat dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe mbi reformat e tjera në vazhdim, reforma elektorale dhe reforma në drejtësi. Në këtë drejtim, ne folëm dhe për përmbushjen në vazhdimësi të marrëveshjes së ndërmjetme dhe së shpejti, për hyrjen në fuqi të marrëveshjes së stabilizim-asociimit me ratifikimin e plotë të saj nga të gjithë vendet e BE-së duke e cilësuar këtë një moment shumë të rëndësishëm në avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë”, u shpreh më tej Basha.
Për Bashën, objekt diskutimi me homologun Frattini, ishte edhe bashkëpunimin me Italinë në luftën kundër trafiqeve, drogës dhe kriminalitetit, si edhe për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Itali.
Ministri Frattini
“Kthehem edhe një herë në Tiranë dhe më duhet të them se çdo herë konfirmoj mendimin tim, ‘Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë marrëdhënie shembullore dhe pozitive’. Ndoshta nuk më mbetet shumë për të shtuar, por ato janë një model pozitiv sepse në bashkë ndajmë të njëjtin vizion në lidhje me të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai është model pozitiv bashkëpunimi ekonomik. Italia është fuqishëm partneri i parë ekonomik për Shqipërinë. Por sigurisht kemi një bashkëpunim të shkëlqyer edhe në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve të shumta të paligjshme që deri pak vjet më parë bënin që Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë në Itali të shiheshin me njëfarë shqetësimi”, e nisi deklarimin e tij, para gazetarëve Ministri i jashtëm i Italisë Franco Frattini.
Më pas ai premtoi ratifikimin e shpejtë të protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
“Ne do të shpiem para Këshillit të Ministrave të Italisë për miratim dhe brenda pak javësh do të kemi miratimin ministror dhe ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Parlamenti italian do ta ratifikojë atë shumë shpejt. Qysh në fillim ne kemi mbështetur rëndësinë e një integrimi atlantik me qëllim që Shqipëria të nisë të bëhet, së bashku me ne, prodhuese e sigurisë në këtë rajon. I thashë edhe kolegut dhe mikut tim, Ministrit të Punëve të Jashtme se kjo nuk bëhet vetëm për interesin e Shqipërisë. Është një interes i përbashkët të kemi një Shqipëri të fortë dhe të integruar në NATO, si faktor stabiliteti në këtë rajon. Një rajon të cilin Italia e sheh si fqinjin më të afërt, pra e sheh me vëmendje të veçantë”, siguroi Frattini.
Në fund të fjalës së tij, Frattini konfirmoi edhe një herë përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike.
“Italia mbështet dhe do të mbështesë prirjen evropiane dhe atlantike të Shqipërisë, pasi ne mendojmë që Shqipëria mund të bëjë shumë për Evropën e Bashkuar dhe Aleancën Atlantike. Ka në këtë drejtim një interes të ndërsjellë të qytetarëve shqiptarë dhe të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian”, përfundoi Frattini.
Frattini u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve
Shqipëria ka përmbushur dy kushtet,
sigurinë e identifikimit të personave
dhe rezultatet kundër krimit të organizuar
TIRANE – Në përfundim të deklarimeve të dy minsitrave, Ministri i Jashtëm i Italisë ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve shqiptarë e të huaj.
Ju dhatë një afat duke thënë se shpresonit që brenda qershorit 2009 Shqipëria do kishte regjimin e liberalizimit të vizave. Kjo thuhet nisur nga dëshira juaj apo mendoni se Shqipëria do ketë përmbushur detyrimet që rrjedhin për këtë?
Unë përmenda këtë afat pasi mendoj se është e mundur të arrihet. U largova nga Komisioni Evropian duke vendosur disa parakushte shumë të qarta. Shumë rigoroze për të gjitha vendet që duan të kenë një regjim vizash të liberalizuara. Ndër këto parakushte, ishin edhe dy që unë mendoj se Shqipëria i ka plotësuar tashmë. Ishin ndoshta parakushtet më të rëndësishme. Kushti i parë, siguria lidhur me identifikimin e personave. Në vizitën që Ministri Basha pati në Romë, në qershor të këtij viti, unë i kujtova sa e rëndësishme është të kesh pasaporta dhe karta identiteti me të dhëna biometrike. Sepse kjo është e vetmja garanci që pengon falsifikimin, që pengon paligjshmërinë. Sot do të jem i pranishëm në prezantimin e modelit të parë të dokumenteve shqiptare me të dhëna biometrike. Parakushti i dytë është një luftë, me rezultate, kundër krimit të organizuar transkufitar, atij kriminaliteti që kalon përmes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbërrin, për fat të keq, në Bashkimin Evropian. Më duhet të them se bashkëpunimi me Italinë është i shkëlqyer. Ajo që unë di, dhe që ma thonë edhe kolegët e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, është bashkëpunimi i shkëlqyer edhe me vendet e tjera kur bëhet fjalë për bashkëpunim dypalësh. Ja sepse konfirmova faktin se ky proces do të vazhdojë më tej me reformën zgjedhore, me reformën në sistemin e drejtësisë që nuk janë kushte, por janë elementë të rëndësishëm. Parakushtet e vërteta tashmë janë plotësuar. Ekziston një tjetër element i rëndësishëm që është kontrolli i integruar i kufijve të vendit. Por rezultatet që po arrihen këtu në Shqipëri tregojnë se edhe për këtë element po ecet përpara. Ja sepse unë besoj se që sot e deri në verë 2009 ky proces do të përmbushet.
Çmendoi lidhur me datën e mundshme të paraqitjes nga ana e Shqipërisë të kandidaturës për aderim në BE?
Në radhë të parë, lipset të kuptojmë dhe të dimë se kur qeveria shqiptare mendon të diskutojë me Bashkimin Evropian mbi mundësinë e paraqitjes së një kandidature. Ne kemi sot një element kyç që është Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit që duhet të zbatohet. Ka nisur tashmë zbatimi si i Marrëveshjes së Ndërmjetme, ashtu dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ajo çka unë besoj është se shihet qartë se për anëtarësimin nevojitet realizimi i plotë u planit të reformave për të cilin Shqipëria po punon, një vullnet i fortë politik, i cili ekziston, duke konfirmuar prirjen evropiane, dhe padyshim, nevojitet një kuadër institucional. Por ne, siç thashë, parashikojmë të përmbushim këtë proces institucional jo më larg se fundi i vitit 2009. Ju e dini që hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës është prej kushteve për anëtarësimin e vendeve të reja anëtare të Bashkimit Evropian, pasi kështu përcakton Traktati i Nicës. Duhet të bëjmë një hap përpara dhe mendojmë se do të bëhet përpara fundit të vitit 2009. Unë besoj pra se rruga e Shqipërisë është tashmë një rrugë e mbarë. Siç thashë, nevojitet vullnet i fortë politik, një program reformash në vazhdimësi dhe zbatimi i Marrëveshjes që sapo është negociuar dhe ka hyrë në fuqi.
...