Frattini – Topallit: Përgëzime për reformat që ka realizuar Parlamenti shqiptar
“Shqipëria ka bërë hapa të mëdha dhe të rëndësishme dhe ju përgëzoj për reformat që parlamenti shqiptar ka realizuar nën drejtimin tuaj si Kryetare e Kuvendit, reforma që ju afrojnë me Bashkimin Evropian. Gjithçka që Italia ka bërë për Shqipërinë e ka bërë sepse ju e keni merituar. Të gjitha forcat politike në Itali mbështesin plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ju siguroj që shumë shpejt Parlamenti italian do të konfirmojë votën pro për Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Veriut”. Këtë garanci e dha Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, ish-zëvendëspresident i Komisionit Evropian, në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se, “Pas realizimit të shumë reformave thelbësore dhe miratimit të shumë ligjeve që përbëjnë bazën ligjore për këto arritje të jashtëzakonshme, puna e parlamentit shqiptar, është fokusuar tashmë në dy reforma, në atë elektorale dhe atë të drejtësisë. Unë jam optimiste, vijoi ajo, se do të gjejmë konsensusin e nevojshëm për të miratuar brenda një kohe të shkurtër këto ligje shumë të rëndësishme për vendin”. Ministri Frattini u shpreh optimist për iniciativën e Kryetares së Kuvendit për një lobim të përbashkët të vendeve të interesuara për Korridorin 8, duke theksuar se duhen bërë të gjitha përpjekjet që ky projekt të përfshihet në projektet prioritare që do të realizohen me Fondin evropian i krijuar së fundmi nga BE-ja. Ministri Frattini premtoi se me kthimin e tij në Itali do të diskutojë për këtë çështje krerët më të lartë të shtetit italian, pasi Italia e konsideron prioritar, Korridorin 8. Duke përgëzuar edhe një herë Kryetaren e Kuvendit për këtë iniciativë, Ministri Frattini nënvizoi se “është momenti i duhur që të gjithë bashkë të nxisim Brukselin për realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm që kalon njëkohësisht në vende që janë pjesë e BE-së dhe në vende si Shqipëria e Maqedonia, që shumë shpejt do të bëhen pjesë e saj.” ...