Fratini: Formoni sa më shpejt qeverinë
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, komentoi dje zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, duke i konsideruar ato si progres, me gjithë një sërë parregullsish të vërejtura ditën e votimit. “Ministri i Punëve të Jashtme, Franko Fratini, duke iu referuar zgjedhjeve politike të zhvilluara në Shqipëri më 28 qershor, përgëzon për mënyrën demokratike themelore të procesit zgjedhor, dhe në veçanti për mënyrën paqësore me të cilën u zhvillua pjesëmarrja në votim si dhe numërimi i mëpasshëm i votave”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Jashtme italiane. Kreu i diplomacisë së Romës bën thirrje që të formohet sa më shpejt qeveria e re për të vazhduar reformat. “Ministri i Punëve të Jashtme dëshiron që forcat politike shqiptare, me shpirt konstruktiv, të mund të formojnë sa më parë një qeveri për të vazhduar në rrugën e reformave dhe të afrimit të Shqipërisë drejt Bashkimin Evropian, faktor i një rëndësie parësore për stabilitetin dhe progresin e vendit dhe të rajonit”.