SHBA: Mbyllni zgjedhjet në mënyrë të rregullt jopartiake
ADI SHKEMBI
Në ditën e gjashtë të procesit të numërimit të votave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje për përfundimin e tij në mënyrë të rregullt dhe profesionale. Deklarata u bë dje në Tiranë nga ambasadori i SHBA-së, John Withers, gjatë ceremonisë së 223-vjetorit të pavarësisë së shtetit të tij. Në fjalën e mbajtur para të ftuarve, kreu i diplomacisë amerikane në vendin tonë theksoi se, “Shqipëria është tashmë në fazën përfundimtare të zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare, numërimit zyrtar të votave dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare. Unë i bëj thirrje drejtuesve politikë shqiptarë, ndërsa siç edhe e pres, ky proces të përfundojë në një mënyrë të rregullt, jo partiake dhe profesionale”. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksoi në të njëjtën kohë faktin se, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet e 28 qershorit duhen bërë përpjekje që të kapërcehen dallimet mes palëve si dhe të motivohen për një Shqipëri më të mirë. “Pavarësisht se kush e fiton këtë garë, inkurajoj që të gjithë aktorët politikë në vend të tregojnë vullnet të mirë që të ndërmarrin përpjekje të sinqerta që dhe ju të gjeni kompromiset e domosdoshme për të kapërcyer dallimet tuaja. Të motivoheni nga dëshira për t’i lënë fëmijëve dhe nipërve tuaj një Shqipëri më të mirë, më të fortë se ajo që trashëguat. Ose po ta thosha me fjalë më të thjeshta, do ta thosha, nga shumë, një”, theksoi ambasadori Withers në fjalën e tij. Deklarata e kreut të diplomacisë amerikane në vendin tonë vjen në një moment kur ende nuk është mbyllur procesi zgjedhor dhe Partia Socialiste akuzon kryeministrin Sali Berisha për manipulim të tij, veçanërisht në qarkun e Fierit, ku ende nuk janë numëruar të gjitha kutitë. Withers vlerësoi ditën e hënë procesin e votimit të 28 qershorit, duke e vlerësuar atë të miradministruar dhe të qetë. “Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të përgëzuar popullin shqiptar për zgjedhjet e djeshme parlamentare dhe të ofroj vlerësimin për zgjedhjet që, në përgjithësi, ishin të miradministruara dhe të qeta. Tani presim përfundimin e numërimit të votave si dhe zyrtarizimin e rezultateve në një mënyrë po kaq të rregullt”, theksoi Withers në përfundim të procesit elektoral. “Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Zgjedhjeve ka prodhuar një raport paraprak të mirëmenduar dhe objektiv, që i karakterizon këto zgjedhje si përmirësim krahasuar me praktika të mëparshme, por që edhe shpreh shqetësim në lidhje me mangësi që mbeten në proces. Jam në një mendje me këto gjetje dhe nxis autoritetet shqiptare të ndërtojnë mbi suksesin e djeshëm për të përmbushur standarde më të larta dhe më kërkuese ndërkombëtare në votime të ardhshme. Përsëris, që përgëzoj popullin shqiptar për pjesëmarrjen e lartë dje dhe ofroj urimet e mia më të mira për të ardhmen”, vijoi më tej Withers lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri.
“Përmirësoni mangësitë e vërejtura”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë procesin zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri, teksa i bëjnë thirrje klasës politike që të përmirësojë mangësitë e vërejtura në këto zgjedhje. I ngarkuari me punë i SHBA-së pranë Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Kyle Scott, tha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, se "Vlerësimi paraprak i OSBE-së vërejti se zgjedhjet në vetvete shënuan përmirësime, por gjithashtu identifikuan disa shkelje përsa i përket rregullave të fushatës dhe Kodit Elektoral. Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të plotësojë këto mangësi, në mënyrë që të arrihen plotësisht standardet zgjedhore". "Qytetarët shqiptarë meritojnë përgëzime për pjesëmarrjen në një numër të lartë në votime si dhe për zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë e të rregullt. Mirëkuptojmë se qeveria shqiptare është në fazën e përfundimit të procesit të numërimit të votave dhe të shpalljes së rezultatit të tyre. Presim që ky proces të vazhdojë me të njëjtën rregullsi", theksoi Scott.