Fratini: "Ok" vizave, por duhen reformat
Ministri i Jashtëm flet për vizat, por duke mos anashkaluar reformat që duhen përmbushur. Jepet garancia për firmosjen e ratifikimit të protokollit
TIRANË - Ashtu si edhe gjatë vizitës së fundit, të zhvilluar në muajin Mars të këtij viti, Ministri i Jashtëm Italian, Franko Fratini, ka garantuar edhe njëherë dje se, liberalizimi i vizave, mund të realizohet brenda qershorit të vitit 2009. Në ditën e parë dhe të vetme të vizitës së tij në Tiranë, Fratini e ka thënë qartë në dy takimet, që ai ka zhvilluar me Kryeministrin Sali Berisha, por edhe me Ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Në konferencën e zhvilluar me këtë të fundit, Fratini siguroi mbështetjen që do t’i japë Italia vendit tonë, në prirjen që ajo ka për t’ubërë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Por, Ministri i Jashtëm, shtoi se, ky rrugëtim, duhet të shoqërohet me reforma. “Rruga drejt liberalizimit të vizave duhet të vazhdojë. Unë besoj se, pasardhësit e mi në Bruksel në Komisionin Evropian, do mund të realizojnë përpara fundit të mandatit të tyre, Qershor 2009, këtë rrugëtim. Vërtet që ky nuk do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Evropën e Bashkuar, por, gjithsesi, do të ishte një sinjal i jashtëzakonshëm faktiqë qytetarët e këtij vendi të kenë të drejtë të hipin në një traget në Durrës për të shkuar në Bari, pa pasur një vizë individuale”, - tha ai, duke shtuar se, këto etapa, kërkojnë një vullnet të fortë politik nga ana e qeverisë shqiptare. “Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë. Gjithashtu duhet të realizohet reforma e sistemit zgjedhor. Unë uroj që kjo të bëhet në marrëveshje me opozitën, pasi kjo reformë zgjedhore duhet të jetë e përbashkët, dhe sigurisht edhe një proces reformash që të prekë magjistraturën. Një reformë në drejtësi që duhet të jetë po aq e gjerë dhe e rëndësishme. Dua të them që e gjitha kjo do të shihet nga Italia si një konfirmim i dëshirës për të vazhduar më tej, për të inkurajuar dhe ndihmuar këtë vend që ne e shohim të lidhur mjaft ngushtë me ne”, - tha Fratini. Ministri i Jashtëm Italian i sheh marrëdhëniet Shqipëri-Itali, si shprehje të një modeli pozitiv pasi, sipas tij, dy vendet ndajnë të njëjtin vizion. “Sot, ne kemi 400.000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, duke respektuar ligjin, me përjashtime të vogla që ndëshkohen në bashkëpunim të plotë gjyqësor mes dy qeverive”, - thaFratini, duke vlerësuar kështu faktin se si është përmirësuar imazhi i Shqipërisë në Itali. Krahas garancisë për miratimin e ratifikimit të protokollit të Shqipërisë në NATO, Ministri i Jashtëm italian, premtoi se mes dy vendeve tona do të nxiten edhe marrëdhënie ekonomike, që do të shkojnë tej pesë marrëveshjeve ekonomike, që u nënshkruan dje midis tij dhe qeverisë shqiptare. Kështu, me Ministrin e Jashtëm Fratini, u diskutua për korridorin 8, ku Italia shihet si lokomotivë, e këtij projekti, si dhe ndihmën që vendi fqinj mund të japë për sektorin e bujqësisë.
Marrëveshjet
Përpos qëndrimit pozitiv që Italia mban ndaj Shqipërisë, duken qartë edhe interesat e vendit fqinj në fushën energjetike, gjë që u evidentua jo pak edhe në takimet që, Ministri i Jashtëm Italian, zhvilloi me personalitete të shtetit shqiptar, ku u fol për mundësitë që Shqipëria ofron në fushën e energjetikës, për të cilat Italia ka nevojë. Ndërkohë, dje në kryeministri, në prani të Ministrit të Jashtëm Italian, u nënshkruan nga përfaqësues të qeverive të të dy vendeve: marrëveshja midis qeverisë së Republikës së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me konvertimin e lejeve të drejtimit; kontrata për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik “Tirana 2”, mbi bazën e një financimi nga Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane; dorëzimi i pjesës së parë prej 5 milionë euro të një financimi të Kooperacionit për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, për programin mbështetës të bizneseve të mesme dhe të vogla shqiptare; kontrata e koncesionit për parkun industrial të Koplikut, si dhe deklarata e shprehjes së interesit për realizimin e nyjes energjetike në Lezhë, të aktiviteteve dhe veprave ndihmëse përkatëse.
Për reformat
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë. Gjithashtu duhet të realizohet reforma e sistemit zgjedhor. Unë uroj që kjo të bëhet në marrëveshje me opozitën, pasi kjo reformë zgjedhore duhet të jetë e përbashkët, dhe sigurisht edhe një proces reformash që të prekë magjistraturën. Një reformë në drejtësi që duhet të jetë po aq e gjerë dhe e rëndësishme. Dua të them që, e gjitha kjo, do të shihet nga Italia si një konfirmim i dëshirës për të vazhduar më tej, për të inkurajuar dhe ndihmuar këtë vend që ne e shohim të lidhur mjaft ngushtë me ne”, - tha Fratini
Topi- Fratini, vlerësohet roli i Shqipërisë në rajon
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini. Kryetari i shtetit, Topi, theksoi se zgjerimi e forcimi i marrëdhënieve me Italinë, sidomos rritja e shkëmbimeve tregtare-ekonomike dhe prania më e madhe e investitorëve italianë në vendin tonë, si dhe synimi për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes vendeve tona, përqendron domosdoshmërisht vëmendjen drejt çështjes së qarkullimit të lirë të njerëzve, për të cilën është e nevojshme të krijohen lehtësira të mëtejshme dhe në këtë drejtim. Duke folur mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit, Presidenti Topi dhe Ministri i Jashtëm italian Fratini, vunë në dukje se, dy vendet tona, ndajnë të njëjtin vizion për një rajon të sigurt, të zhvilluar dhe pjesë të Bashkimit Evropian. Presidenti Topi siguroi se Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rol stabilizues në rajon, duke synuar bashkëpunim sa më të ngushtë me vendet e rajonit të Ballkanit, në të gjitha drejtimet. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, i përcolli Presidentit Topi përshëndetjet e përzemërta nga Kreu i shtetit italian, Napolitano duke e përgëzuar edhe për vizitën e shkëlqyer në Itali, si pikë kulmore e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Fratini e siguroi Kreun e shtetit shqiptar se, gjatë gjithë procesit të përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar, vendi ynë do të vazhdojë të gëzojë mbështetjen e gjithanshme të Italisë.
Kryeministri Sali Berisha kërkon, më shumë se çdo gjë tjetër, një diplomaci ekonomike
Berisha-ambasadorëve: Shndërrohuni në Task-Force
TIRANË - Konferenca e Ambasadorëve u mblodh dje në Tiranë, punimet e së cilës do të zgjasinderi në datën 31 Tetor. Prezenca e Ministrit të Jashtëm të Italisë Franko Fratini, por dhe fjala e mbajtur nga Kryeministri Sali Berisha drejtuar diplomatëve shqiptarë, përfshinë punimet e ditës së parë të kësaj konference. Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Sali Berisha, deklaroi rolin e ri që duhet të ketë misioni diplomatik shqiptar, duke sugjeruar që të shndërrohet në një Task-Forcë pasi, sipas tij, përparësia kryesore e Shqipërisë sot, është zhvillimi ekonomik dhe tërheqja e investimeve të huaja në vend. “Nuk ka rrugë më të sigurt që ju të kontribuoni për formësimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet vendeve tona sesa bashkëpunimi ekonomik. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, ju do të jeni të aftë të keni rendimentin më të lartë në marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve ku ju jeni të akredituar. Ju duhet ta konsideroni veten Task-Forcë. Ju duhet të krijoni task-forcën, të kryesuar nga ambasadori dhe duke përfshirë të gjithë stafin e ambasadës, duhet të keni një plan të qartë veprimi në veprimtarinë tuaj ekonomike”, - tha Berisha në fjalën e tij. Ky ndryshim, sipas Berishës, vjen në një kohë kur përpara Shqipërisë shtrohen detyra të mëdha, të cilat njëkohësisht, kërkojnë edhe ndryshime të thella në diplomacinë tonë. “Misionet tona diplomatike duhet të shndërrohen në misione të diplomacisë ekonomike. Diplomacia ekonomike duhet të marrë përparësi dhe epërsi”, - u shpreh Berisha në lidhje me rolin që duhet të kenë tashmë diplomatët tanë nëpër botë. Duke këmbëngulur në përparësinë që duhet të ketë ekonomia në këto momente, Berisha, në konferencë, foli për një figurë të re diplomati, i cili, nga “një nga punëtor politik, duhet të shndërrohet në punëtor ekonomik”. Struktura e re Task Forcë, e propozuar nga Kryeministri, duhet të shërbejë si urë lidhëse me investitorët e huaj, të cilët do të duan të investojnë në Shqipëri.