Ismail Qemali, emërohen pedagogë me 3-vjeçare
Problemet e hasura në emërimin e pedagogëve në Universitetin e Tiranës, nuk kanë lënë pa prekur edhe institucione të tjera të arsimit publik në vend. Kontestime të forta në përzgjedhje ka pasur edhe në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” ku, konkursi e më pas punësimi i pedagogëve të rinj fitues, ka ngjallur reagime negative midis akademikëve. Megjithë insistimin për të pasur në dorë listën e pedagogëve fitues, drejtuesit e rektoratit të universitetit nuk e mundësojnë një gjë të tillë, gjë që e ka rritur edhe më shumë irritimin e kandidatëve që nuk kanë fituar, të cilët kanë dorëzuar pranë zyrave të IAL-it ankimimet përkatëse. Në bisedë me gazetën “Shekulli”, një nga konkurentet, e cila nuk kërkon të identifikohet, rrëfen se, kriteri i vendosur, ishte mesatarja 8.5, si edhe titujt sipas nivelit Master të mbrojtur. “Unë i plotësoja të dyja. Fillimisht ishte një tip testimi-intervistë, i cili vlerësohej me 50 pikë dhe pajisja, me master me 25 pikë. Konkurova dhe u rendita e dyta. Pikët në departamentin, për të cilin konkurova, na u komunikuan dhe isha renditur e dyta. Të them të drejtën u habita, se ajo që mbante vendin e parë, ndahej me 5 pikë nga unë, pikë që i kishte marrë në testimin e mësimdhënies, ku, siç më thanë vetë shefat më vonë, nuk kishte dhënë asnjë orë mësim”. Më tej, konkurentja, e cila ka punuar si pedagoge e jashtme në universitetin e Vlorës, rrëfen mënyrën se si e nxorrën jashtë loje, duke përzgjedhur si fituese kandidaten, e cila renditej poshtë saj me pikë. “Unë nuk kam asnjë ankesë për faktin që u rendita e dyta. Ky qe vlerësimi dhe unë pranova verdiktin e jurisë. Edhe pse realisht nuk testuan zhvillimin e një ore mësimore, por u bazuan në disa pyetje shumë të përgjithshme testesh. Ajo që më çuditi ishte qëndrimi i mëvonshëm. Ishin dy vende vakante për pozicionin në të cilin konkuroja. Mori orë mësimi ajo që fitoi vendin e parë dhe, në mënyrë të habitshme, ajo që ishte renditur pas meje. Ajo që më tha shefja e departamentit më pas dhe ajo që më komunikoi rektori në takimet që mora me ta, ishin kontradiktore. Shefja u mjaftua me “zgjedhjet i ka bërë rektori”, ndërsa vetë rektori më tregoi shefen e departamentit e më pas mbylli frazën me “Kemi bërë zgjedhjen më të mirë”. Të tillë shqetësim shprehin edhe konkurentë të tjerë, të cilët nuk kanë arritur të jenë fitues.Edhe në Universitetin e Vlorës vihet re emërimi i pedagogëve që nuk kanë titujt e duhur sipas ligjit të arsimit të lartë. Madje, në këtë universitet, janë përzgedhur të japin leksione pedagogë që kanë përfunduar ciklin e parë 3-vjeçar të studimeve, në kundërshtim të plotë me ligjin. Vetë studentët thonë se, në orarin e shpallur në sitin zyrtar të universitetit, gjenden emra pedagogësh që vetëm vitin paraardhës kanë mbaruar studimet në universitetin e Vlorës. Një ndër këto degë, ku janë punësuar me tepri pedagogë të sapodiplomuar edhe në Fakultetin e Informatikës, në degën e Teknologjisë së Informacionit.