Berisha, Topi e Meta bashkë në 60-vjetorin e marrëdhënieve me Kinën
Në ditën e dytë të vizitës në Tiranë të zv.kryeministrit të Kinës, Zhang Dejiang, është festuar përmes një ceremonie në Hotel “Sheraton” 60-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Në këtë aktivitetet kanë marrë pjesë Presidenti, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe zv.kryeministri e Ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Gjatë fjalës së tij, zëvendëskryeministri kinez Dejiang u shpreh për ecurinë gjithnjë e në rritje të miqësisë mes dy vendeve. Ndërsa Presidenti Topi theksoi se “në historinë 60-vjeçare të marrëdhënieve tona ka shumë ngjarje për t’u nënvizuar. Historianëve dhe analistëve politikë u duhet shumë kohë e mund të shkruajnë për to, por ne politikanët duhet të përsërisim se çështjet parimore të marrëdhënieve midis dy vendeve tona janë të qëndrueshme dhe se Republika e Shqipërisë është e palëkundur në vendimin dhe kontributin që ajo dha për kthimin e Republikës Popullore të Kinës, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1971”. Gjatë paradites, delegacioni kinez u prit nga Kryeministri Berisha, i cili vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave, “Zëvendëskryeministri kinez Dejiang theksoi se gjatë udhëheqjes së Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, Shqipëria ka bërë progres shumë të rëndësishëm në të gjitha fushat, në veçanti për sa i përket zhvillimit ekonomik, rritjes së mirëqenies dhe prosperitetit të qytetarëve të saj, ruajtjes së marrëdhënieve të mira me vendet e tjera dhe forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit tregtar, ekonomik e të gjithanshëm me këto vende, si dhe hapat e rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”. Zyrtari i lartë i qeverisë kineze vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në politikën për njohjen e një Kine të Vetme, Republikës Popullore të Kinës.