E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini në Kuvend: Kosova ka të ardhme europiane

PRISHTINE- Gjatë fjalimit të tij përpara deputetëve të Kosovës, ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini nënvizoi se e ardhmja e Kosovës është në bashkësinë e madhe e europiane.
Ai garantoi se Italia mbështet zhvillimet lokale dhe qendrore në Kosovë, ndërsa kërkoi nga autoritet të plotësojnë rekomandimet e Brukselit.

Sipas tij, edhe BE duhet të kontribuojë në krijimin e kushteve më të mira për Kosovën, në mënyrë që ajo të arrijë zhvillimin. "Një hap tjetër për të ecur drejt perspektivës europiane të Ballkanit, në këtë rast dhe Kosovës është që të sigurohemi që ky rajon mbetet me prioritet në axhendën e BE", tha më tej Frattini.

Duke folur mbi Konferencën e Sarajevës që do të mbahet në qershor, Frattini tha se "të gjitha vendet e rajonit dhe ne radhë të parë Beogradi dhe Prishtina janë ato që duhet të marrin pjesë dhe të tregojnë qëndrimin e tyre fleksibël dhe të drejtë". Sipas tij, "kjo konferencë do të shënojë një test të rëndësishëm për pjekurinë europiane dhe bashkëpunim rajonal, test që ne presim ta kalojmë me sukses dhe me pozitivizëm".

Ai ripërsëriti ftesën e bërë në Beograd për dialog të frytshëm midis Kosovës dhe Sërbisë. "Duhet të bëjmë dhe zhvillojmë çdo përpjekje, në mënyrë që të mbështesim pajtimet rajonale të shteteve, sepse Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një mënyrë për një komunikim konstruktiv", theksoi Frattini.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›