Pse luhet me zinë
• Skënder MinxhoziA duhej shpallur zia kombëtare për ngjarjen e rëndë të Farkës?! Kjo pyetje mori shtat papritur, pas disa reagimeve publike të bëra po në ditën e zisë, kur mediat ishin të dominuara nga kortezhet funebër dhe historitë e dhimbshme gjithfarësh, të cilat veçse provonin absurdin e një tragjedie të kotë. E parë kështu, Farka mund të klasifikohet si një fatkeqësi "pa fabul", si një ngjarje e tepërt dhe e evitueshme. Natyrisht që po, të gjitha këto janë të vërteta. Fatkeqët që shkelën në atë varkë nuk ishin as punonjës policie që u përleshën me krimin, as minatorë që i zuri përfund galeria, e as zjarrfikës që u dogjën duke shpëtuar fëmijët e ndonjë shkolle në flakë. Asgjë prej heroikeje nuk mund të gjesh ...në këtë darkë ditëlindjeje të kthyer në mort. E megjithatë vdekja mbetet vdekje, tragjedia, edhe pse e ardhur në mënyrë paradoksale e disi groteske, mbetet sërish e tillë. Viktimat nuk kanë qenë të pakta dhe shifrat në çdo rast kanë rëndësinë e tyre. 16 të mbytur janë një bilanc tronditës, i rëndë dhe unikal në llojin e tij, madje edhe kur bëhet fjalë për njerëz që s'kanë rënë në ndonjë rrethanë që mund të lidhet me përgjegjësi apo funksione të caktuara publike, personale apo kolektive. Reagimi sporadik që u vu re ndaj shpalljes së zisë kombëtare për ngjarjen e Farkës, nuk përbën ndonjë skandal të llojit të tij. Ai qe pjesërisht një mënyrë ndryshe e të konceptuarit të një tragjedie me impakt publik, si dhe një zgjatim i vogël i sherrit politik që vazhdon kryesisht majtas. Politika shqiptare u vu në rresht më 6 mars për t'i shprehur ngushëllimet familjarëve të Farkës. Bëri mirë, sepse bëri të vetmen gjë që mund të bënte. Nëse nuk do të kishte ndodhur që Berisha të shpallte zinë, që Rama të linte turin në Veri, që zyrtarët më të lartë të shtetit të merrnin bashkëshortët e të shkonin për ngushëllim, me siguri që do të ishim këtu duke diskutuar sesa e ftohtë dhe cinike u tregua politika shqiptare ndaj një ngjarjeje ku dy binjakë trevjeçarë humbën jetën së bashku me nënën e tyre në mesin e një rezervuari në mesnatë. Shteti është ndodhur përballë një ngjarjeje të rëndë dhe me një impakt të fortë në publikun shqiptar, të gozhduar para televizioneve gjatë gjithë datës 6 mars. Mënyra sesi kjo ngjarje u përthye në ambientin shqiptar, nuk sugjeronte diçka tjetër veç shpalljes me të drejtë të zisë kombëtare. Farka mund të ketë qenë një tragjedi e kotë, e evitueshme dhe absurde në të gjithë trajektoren e saj, por jo për këtë arsye nuk duhet nderuar. Në rrethana të ngjashme, edhe vende të tjera kanë vepruar në mënyrë të ngjashme me Shqipërinë. Në 28 janar 2006, në Katovicë të Polonisë, rrëzimi i çatisë së një panairi tregtar shkaktoi vdekjen e 65 personave. 1 shkurti u shpall ditë zie kombëtare nga presidenti polak, Kacinski. Viktimat ishin të gjithë klientë që kishin shkuar të blinin dhe kishin vdekur nën peshën e tonelatave të çatisë së supermarketit. Është e kotë që të bëjmë një krahasim mekanik mes dy ngjarjeve, porse nga ky rast dhe të tjerë si ky, që mund të gjenden mjaft lehtë në historikun e gjatë të incidenteve të tilla kudo në botë, nxjerr në pah elementin e thjeshtë të respektit për jetën e humbur. Sidomos kur jetët janë shumë dhe kur dhimbja është e madhe.Në këtë këndvështrim, ngjarja e Farkës nuk mund dhe nuk duhet klasifikuar si një gjest hipokrizie i atyre që janë mësuar të luajnë shpesh dhe keq me hipokrizinë. Kjo ngjarje dhe mënyra sesi ajo u përballua nga e gjithë shoqëria shqiptare, është të pranohet me të gjithë gamën e saj të pashmangshme përjetimit, e pse jo edhe të teatralitetit që rëndom shoqëron evenimente të tilla në mjedisin shqiptar, të mbushur me drama dhe tragjedi të mëdha e të vogla. E vështirë të besohet se dikush nxori ndonjë përfitim nga Farka, ndërkohë që është e lehtë të imagjinohet se shumëkush mund të kishte humbur prej saj, nëse do të ishte treguar i ftohtë e shpërfillës përballë një vdekjeje masive njerëzish në dyert e Tiranës.