E Diel, 1 Nëntor 2026

400 milionë euro, ndihma e re e Brukselit për Shqipërinë

Shqipëria do të përfitojë deri në vitin 2011 mbi 400 milionë euro asistencë nga Bashkimi Europian në kuadër të një projekti donator para-aderimit që Brukseli ka miratuar për vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë t’i bashkohen sa më parë unionit. Në bazë të raportit të publikuar dje fondet do të akordohen në mënyrë direkte nga Banka Europiane e Investimeve (BEI) në koordinim edhe me institucionet e tjera financiare. Shuma mesatare e ndihmës për çdo vend të këtij rajoni për periudhën 2007-2011 vërtitet rreth 800 milionë eurosh ose afro 30 euro për banor, investimi për frymë më i lartë se gjithë rajonet e tjera të botës ku Bashkimi Europian është angazhuar. Fondet do të përdoren në 5 drejtime kryesore: trajtimin e administratës publike dhe rritjen e kapaciteteve administrative, bashkëpunimin ndërkufitar, zhvillimin e projekteve me rëndësi rajonale, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e zonave rurale. Tre komponentët e fundit rezervohen kryesisht për vendet që aktualisht cilësohen se janë më pranë aderimit në BE, si Kroacia, Maqedonia dhe Turqia. Megjithatë theksohet se edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga këto projekte.
Projekti i mëparshëm financiar para-aderimit IPA ishte fokusuar tek prioritetet e identifikuara në dokumentin e hartuar nga komisioni i Zgjerimit: ndërtimin e institucioneve, shtetit ligjor, reformës administrative dhe asaj në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe rritjen e mbështetjes për reformat ekonomike dhe zhvillimit të mëtejshëm të shoqërisë civile. Bashkëpunimi ndërkufitar përveçse sjell përfitime reciproke për shtetet përkatëse ashtu edhe përmirëson dukshëm marrëdhëniet mes tyre dhe vendeve tashmë anëtare të BE-së, mbi të gjitha lehtëson lëvizjen e lirë të njerëzve, rritjen e shkëmbimeve kulturore, duke kontribuar në analizë të fundit në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Dhe ndihma financiar për këtë bashkëpunim ka ardhur duke u rritur. Në funksion të këtij qëllimi, Banka Europiane e Investimeve që në vitet 2005-2007 ka dhënë hua për vendet e Ballkanit Perëndimor një shumë prej 1.9 milionë eurosh për periudhën në vijim 2008-2010 e ka dyfishuar asistencën në 2.8 milionë euro. Aktiviteti huadhënës i BEI-it në Ballkanin Perëndimor fokusohet mbi të gjitha mbi projektet që kanë të bëjnë me sektorët e energjisë, ndërmarrjeve të vogla
dhe të mesme, mjedisit, infrastrukturës së njësive vendore, edukimit dhe shëndetësisë. Komisioni Europian veç të tjerash po dyfishon jo vetëm fondet por edhe përpjekjet e tij për të koordinuar me institucionet e tjera financiare ndërkombëtare për jetësimin e këtij projekti. Qëllimi është sigurisht mbledhja e sa më shumë parave për të mundësuar modernizimin e shpejtë të rajonit. Në vitin 2006 KE nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit me Bankën Europiane të Investimeve, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, IFC, Bankën Nordike të Investimeve, Bankën për Tregti dhe Zhvillim në Detin e Zi etj, për të bashkëpunuar dhe mbështetur financiarisht vendet kandidate në përmbushjen e detyrimeve. Në dhjetor të vitit 2007, Komisioni Europian u fut në kontakte me donatorët kryesorë për të përpiluar një plan pune për këtë qëllim. Dhe në vijim të këtij procesi në qershor të këtij vitit, KE do të organizojë një takim të nivelit të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›