E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse LSI-ja s'e do sistemin spanjoll?!

• Eduard ZaloshnjaKushdo që i hedh sytë  televizorit kur telekomanda ndal në një nga emisionet shqiptare të lajmeve apo bisedat politike të kohëve të fundit, e ka të vështirë t'i shmanget dëgjimit të termit "sistemi spanjoll". Dhe ata që janë disi më të interesuar për zhvillimet politike në vend, duhet ta kenë mësuar tani se kur flitet për sistemin spanjoll, është fjala për sistemin elektoral që përdoret në Spanjë, dhe që të dyja partitë e mëdha shqiptare duan ta adoptojnë tek ne. Ndërkohë, këta të fundit, domethënë shikuesit që janë disi më të interesuar për zhvillimet politike në vend, duhet të kenë konstatuar tashmë se LSI-ja, partia e udhëhequr nga Ilir Meta, është kundërshtarja më e vendosur e sistemit spanjoll.  Dhe pyetja që natyrshëm mund t'i lindë këtyre shikuesve është nëse LSI-ja do dëmtohej në qoftë se sistemi elektoral do importohej nga Gadishulli Iberik. Duke gjykuar nga reagimi i ashpër i LSI-së, përgjigjja që unë do i jap kësaj pyetje mund të duket paradoksale, por ja që numrat tregojnë se partia e udhëhequr nga Ilir Meta, në qoftë se do ishte zbatuar pikë për pikë sistemi spanjoll në vitin 2005, do kishte fituar 11-12 vende në Kuvend (luhatja mes 11-ës e 12-ës lidhet me mënyrën e veçantë që mund të trajtohej minoriteti grek). Siç dihet, me sistemin e Dushkut, LSI-ja fitoi vetëm 5 vende në Kuvend, ndërkohë që grumbulloi mbi 8% të votave në shkallë kombëtare. Po pse sistemi spanjoll do e kishte favorizuar kaq ndjeshëm LSI-në? Për arsyen e thjeshtë se ai favorizon partitë e mëdha e të mesme dhe disfavorizon partiçkat e vogla.  Në qoftë se i beson llogaritjeve të mija, i dashur lexues, mund ta ndalësh leximin këtu e të vazhdosh i qetë të pish kafen apo çfarëdo tjetër që ti po bën. Kjo, sepse thelbi i këtij shkrimi u prezantua në paragrafin e mësipërm. Por në qoftë se je kurioz e i duruar, mund të vazhdosh leximin e paragrafëve të mëposhtëm, për të ndjekur kështu detajet e llogaritjeve që ma nxorën LSI-në me 11-12 vende në Kuvend.Po të ishte zbatuar sistemi spanjoll në Shqipëri në vitin 2005, çdo parti do paraqiste nga një listë me kandidatë për deputetë veçmas për çdo qark.  Për shembull, LSI-ja do paraqiste një listë me kandidatë për qarkun e Beratit - i cili përfshin krahinën e Skraparit, Beratit dhe Kuçovës - dhe të njëjtën gjë do e bënte edhe çdo parti tjetër. Numri i deputetëve për çdo qark do varej nga popullsia e qarkut - pra, qarqe me popullsi më të madhe do kishin më shumë deputetë. Sidoqoftë, para se të caktohej numri i deputetëve që do i takonte çdo qarku, nga dy deputetë do i caktoheshin secilit qark, pavarësisht nga popullsia. Dhe vetëm pas kësaj shpërndarje automatike, do bëhej shpërndarja sipas popullsisë. Duke bërë këto llogaritje, qarkut të Beratit, të cilin e morëm si shembull më sipër, do i takonte të përfaqësohej në Kuvend nga 9 deputetë. Dhe LSI-ja, e cila mori 20% të votave në këtë qark, do kishte fituar 2 deputetë atje. Si përkthehet 20 përqindëshi beratas i LSI-së në 2 deputetë nga ai qark? Me metodën D'Hondt, e njohur me këtë emër për nder të matematikanit belg Viktor D'Hondt, i cili ishte i pari që e propozoi atë.  Sipas metodës D'Hondt, kandidati i parë në listën e partisë fituese të qarkut fiton automatikisht. Pastaj, për të caktuar deputetin e dytë, numri i votave të partisë fituese pjesëtohet me 2 dhe krahasohet me numrin fillestar të votave të partive të tjera. Në qoftë se edhe gjysma numrit të votave të saj është më i madh si numër krahasimisht me votat fillestare të çdo partie tjetër, kandidati i dytë i saj në listë fiton. Më tej, numri fillestar i votave të kësaj partie pjesëtohet me 3, për t'u krahasuar përsëri me numrin fillestar të votave të secilës parti konkurrente. Dhe kjo procedurë vazhdon deri sa të caktohen të gjithë deputetët e qarkut. Tabela e mëposhtme e ilustron këtë procedurë me një shembull të thjeshtuar.Siç kuptohet edhe nga shembulli i ilustruar në tabelë, LSI-ja do kishte dalë pa asnjë deputet në qarqe veriore si Shkodra e Kukësi, por do e kishte rikuperuar atë humbje në qarqe jugore si Berati, Fieri e Vlora. Ndërkohë ajo do kishte përfituar goxha në qarqe të mëdha si Tirana e Durrësi, të cilat kanë popullsi të madhe, e për rrjedhojë, u takon një numër i madh deputetësh. Si përfundim, LSI-ja do kishte pasur sot 11-12 deputetë në Kuvend. Dhe pyetja që të lind kur arrin në këtë përfundim është: "A i kanë bërë këto llogaritje specialistët e LSI-së?". Dhe në qoftë se përgjigjja është po, vetvetiu të lind kjo pyetja tjetër: "Pse atëherë ajo nuk e pëlqen sistemin spanjoll?!"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›